Liria fetare dhe privilegji fetar: Çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria Europës?

E martë, 17 Nëntor, 2026

Nga Edlira Dyrmishaj

Myslimani sunit, bektashiu, ortodoksi, katoliku, protestanti, hebreu, ateisti apo agnostiku nuk duhet të ketë nevojë për një status të veçantë për t’u ndier pjesë e shtetit shqiptar.

Shqipëria duhet të kalojë nga toleranca e dallimit fetar te njohja e barabartë e tij; nga një bashkëjetesë që pranon praninë e tjetrit, te një qytetari që i njeh secilit të njëjtin status përballë shtetit. Toleranca nuk mjafton kur shteti thjesht lejon ekzistencën e dallimit; njohja kërkon që ky dallim të pranohet si pjesë legjitime e pluralizmit shoqëror dhe të mbrohet njësoj për të gjithë.

Kemi nevojë për tolerancë, bashkëjetesë, njohje legjitime dhe barazi. Katër fjalë që, në njëfarë mënyre, përshkruajnë edhe rrugëtimin e Shqipërisë me besimin. Sot dua ta çoj këtë mendim edhe një hap më tej. Sepse historia nuk na mëson vetëm çfarë duhet të korrigjojmë. Na mëson edhe ku duhet të ndalemi.

Shqipëria ka një histori të dhimbshme me besimin

Për dekada, regjimi komunist jo vetëm e ndaloi  fenë. Ai tentoi ta fshinte atë nga hapësira publike, nga kujtesa shoqërore dhe nga psikologjia kolektive. Goditi institucionet fetare, ndërpreu vazhdimësinë e tyre dhe e shpalli Shqipërinë shtet ateist. Besimi u përjashtua nga kujtesa publike.

Pas vitit 1990, nisi një proces i domosdoshëm historik: rikthimi i lirisë së ndërgjegjes, i institucioneve fetare dhe i të drejtës së qytetarëve për ta jetuar identitetin e tyre pa frikë. Ishte një korrigjim i drejtë i një padrejtësie të thellë.

Por këtu lind pyetja: A duhet korrigjimi i një mohimi historik të prodhojë një privilegj të ri? Nëse kemi kaluar nga mohimi te njohja, pse duhet të kalojmë nga njohja te privilegji?

Dhe nëse një padrejtësi e djeshme korrigjohet duke krijuar një pabarazi të re, a kemi korrigjuar vërtet padrejtësinë? Apo thjesht kemi ndryshuar drejtimin e privilegjit?

Ku mbaron njohja dhe ku fillon privilegji?

Kjo është pyetja themelore. Kushtetuta shqiptare nuk e vendos shtetin përballë fesë. Ajo e vendos shtetin në një pozitë tjetër: pa fe zyrtare, asnjanës në çështjet e besimit dhe të ndërgjegjes dhe me detyrimin për të njohur barazinë e bashkësive fetare.

Pra, shteti laik nuk është shtet kundër fesë. Është shtet që nuk ka nevojë të zgjedhë një fe për të legjitimuar veten. Kjo është një diferencë thelbësore. Sepse liria fetare nuk kërkon që feja të zhduket nga hapësira publike. Mirëpo neutraliteti i shtetit kërkon që prania publike e fesë të mos kthehet automatikisht në hierarki politike. Dhe pikërisht këtu, debati i sotëm bëhet më i madh se çdo komunitet fetar. Bëhet debat për parimin, mbi të cilin ndërtojmë shtetin.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane është një bashkësi fetare e njohur institucionalisht nga shteti shqiptar dhe marrëdhëniet e saj me shtetin janë rregulluar përmes një marrëveshjeje të posaçme. Pra, debati nuk është më për njohjen. Bektashizmi njihet. Debati është për diçka tjetër:

Dhe më tej. Ku mbaron autonomia e një bashkësie fetare dhe ku fillon sovraniteti? Kjo nuk është një replikë kundër Bektashizmit. As kundër historisë së tij. As kundër kontributit të tij në historinë shqiptare. As kundër të drejtës së tij për të ruajtur identitetin, institucionet dhe trashëgiminë.

Përkundrazi. Historia e Bektashizmit në Shqipëri meriton respekt, studim dhe mbrojtje. Por pikërisht sepse e respektojmë historinë, duhet të jemi të kujdesshëm që historia të mos përdoret automatikisht si themel për një arkitekturë të re politike.

Një komunitet mund të ketë një histori të jashtëzakonshme, pa pasur nevojë për privilegj shtetëror. Një traditë mund të jetë e çmuar, pa u shndërruar në kategori politike. Dhe një besim mund të jetë i fuqishëm, pa pasur nevojë të bëhet pjesë e strukturës së sovranitetit.

Respekti nuk është privilegj. Njohja nuk është privilegj. Mbrojtja e trashëgimisë nuk është privilegj. Por kur njohja merr formën e një statusi politik të diferencuar, atëherë shteti ka detyrimin të shpjegojë përse. Dhe kjo nuk është çështje sentimenti. Është çështje e drejtësisë politike.

Pyetja nuk është “pse ata?”.  Por është e pashmangshme të pyesim:  Pse pikërisht ky komunitet? Pse pikërisht ky status? Pse pikërisht kjo formë marrëdhënieje me shtetin?

Dhe pyetja më e rëndësishme:  Cili është parimi që do të përdorim nesër, nëse një komunitet tjetër kërkon të njëjtin status? Këtu debati bëhet i rëndësishëm. Sepse një shtet demokratik nuk mund t’i ndërtojë parimet e veta mbi pyetjen: Kush është më i veçantë?  Duhet t’i ndërtojë mbi një pyetje shumë më të vështirë: A mund ta zbatojmë të njëjtin parim për të gjithë?  Nëse po, kemi një parim. Nëse jo, kemi një përjashtim.  Dhe shtetet nuk ndërtohen vetëm nga përjashtimet. Ato ndërtohen nga precedentët.

Një vendim politik mund të duket i arsyeshëm në rrethanat e sotme. Por një parim politik duhet të jetë i drejtë, edhe kur rrethanat ndryshojnë. Kjo është edhe pyetja e drejtësisë si paanësi: jo vetëm nëse një vendim na duket i mirë sot, por nëse rregulli që krijojmë do të mund të pranohej edhe kur nesër ne të ndodheshim në anën tjetër të tij.

Nga historia te sovraniteti

Këtu ndodhet kufiri që, sipas meje, duhet trajtuar me shumë seriozitet.

Një bashkësi fetare mund të ketë autonomi. Mund të ketë institucione. Mund të ketë pasuri. Mund të ketë marrëveshje me shtetin. Mund të ketë rol ndërkombëtar. Mirëpo sovraniteti është një kategori tjetër politike.

Dhe kur flasim për një entitet me karakter sovran brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nuk po flasim më vetëm për një projekt kulturor, fetar apo simbolik.

Po flasim për arkitekturën e shtetit shqiptar. Prandaj pyetja nuk duhet të jetë vetëm: A është një ide e bukur?  As: A mund të jetë e dobishme për imazhin e Shqipërisë?

Pyetja duhet të jetë: Çfarë modeli shteti krijon kjo? Sepse sovraniteti nuk është simbol. Nuk është dekor diplomatik. Nuk është shpërblim historik.  Është një nga themelet e shtetit.

Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo ide që prek kufijtë e sovranitetit duhet të vlerësohet jo vetëm për qëllimin e saj, por edhe për precedentin që krijon.

Shqipëria nuk ka nevojë të zgjedhë mes fesë dhe shtetit

Këtu mendoj se kemi edhe një keqkuptim të madh. Të mbrosh neutralitetin e shtetit nuk do të thotë të jesh kundër fesë. Të kërkosh barazi nuk do të thotë të mohosh dallimet.  Të mos mbështesësh privilegjin politik nuk do të thotë të mos respektosh historinë. Përkundrazi.

Një shtet është vërtet neutral kur është aq i sigurt në parimet e veta, sa nuk ka nevojë të zgjedhë të preferuar. Kjo është arsyeja pse alternativa nuk është: fe ose shtet. Është: besim i lirë dhe shtet neutral.

Feja mund të jetë pjesë e hapësirës publike. Besimtari mund të jetë pjesë e jetës politike. Institucionet fetare mund të kenë marrëdhënie me shtetin.  Por sovraniteti politik mbetet i përbashkët. Kjo është diferenca midis lirisë fetare dhe privilegjit fetar. E para është një e drejtë. E dyta kërkon një justifikim shumë më të fortë.

Nga toleranca tek njohja

Toleranca, në kuptimin klasik, ka një asimetri brenda vetes: dikush toleron dikë tjetër. Unë të toleroj. Unë të lejoj. Unë të pranoj. Barazia e ndryshon marrëdhënien.Nuk ka më një palë që jep leje dhe një palë që e merr atë.  Ka qytetarë me të njëjtin status.

Në shkrimin e mëparshëm flisja për nevojën konceptuale, morale e politike të kalimit nga toleranca te njohja. Sot mendoj se duhet ta çojmë këtë hap edhe më tej: nga njohja te barazia.

Sepse njohja është e nevojshme. Por nuk është fundi. Një shtet mund të të njohë dhe përsëri të të vendosë në një hierarki. Barazia është hapi që e mbyll këtë hendek. Dhe pastaj vjen qytetaria.

Ndoshta këtu qëndron edhe kuptimi më i thellë i asaj që duhet të jetë një shtet modern. Qytetari nuk duhet të ketë nevojë të negociojë vazhdimisht identitetin e tij me shtetin. Myslimani sunit, bektashiu, ortodoksi, katoliku, protestanti, hebreu, ateisti apo agnostiku nuk duhet të ketë nevojë për një status të veçantë për t’u ndier pjesë e shtetit shqiptar.

Sepse qytetaria nuk është një privilegj që shteti ua shpërndan identiteteve. Është statusi i përbashkët i njerëzve që jetojnë nën të njëjtin rend kushtetues. Dhe kjo është ndoshta forma më e lartë e njohjes: të mos kesh nevojë të jesh i veçantë për të qenë i barabartë.

Çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria Europës?

Ne shpesh flasim për harmoninë fetare shqiptare si një vlerë që duhet t’ia tregojmë botës. Por çfarë është në të vërtetë kjo vlerë? Nuk është që çdo fe të ketë territorin e vet politik.

Nuk është që çdo identitet të kërkojë një pjesë të veçantë të sovranitetit. Dhe as që shteti të prodhojë hierarki midis identiteteve. Forca e traditës shqiptare ka qenë e kundërta: njerëz me besime të ndryshme kanë mundur të ndërtojnë një përkatësi të përbashkët. Bashkëjetesë brenda një hapësire të përbashkët qytetare.

Ky është kapitali ynë historik. Dhe nëse Shqipëria ka diçka për t’i ofruar Europës, mendoj se është pikërisht kjo: besim i lirë, identitet i fortë dhe qytetari e përbashkët.

Pra, jo një shtet që i ndan identitetet në territore politike. Por një shtet që i bashkon qytetarët përmes një standardi të përbashkët. Një shtet që nuk ka nevojë të zgjedhë.

Këtu shoh edhe një paradoks të politikës shqiptare. Në diskursin publik shpesh thuhet se besimi nuk duhet të instrumentalizohet politikisht. Por sa herë që feja bëhet e dobishme për një narrativë kombëtare, diplomatike apo politike, ajo rikthehet në qendër të simbolikës shtetërore.

Kjo duhet të na bëjë të mendojmë. Sepse shteti nuk duhet ta përdorë fenë, për të prodhuar legjitimitet. Dhe feja nuk duhet të ketë nevojë për privilegj shtetëror për të dëshmuar vlerën e saj.

Një traditë nuk bëhet më e madhe, sepse shteti i jep një status më të lartë. Një komunitet nuk bëhet më shqiptar, sepse shteti i jep një privilegj. Dhe historia nuk mbrohet, duke e shndërruar automatikisht në kategori sovraniteti.

Mesi i artë

Mesi i artë nuk është as mohimi i besimit, as privilegjimi i besimit, por liria. As përjashtimi i fesë nga hapësira publike. As kapja e hapësirës publike nga feja. Por pluralizmi.

As toleranca si leje. As privilegji si shpërblim. Por barazia. Dhe mbi të gjitha: jo identitete që konkurrojnë për status politik, por qytetarë që ndajnë të njëjtin status.

Ndoshta na u deshën dekada, për të rikthyer në kujtesë atë që diktatura kishte tentuar të fshinte. Ndoshta na u deshën dekada të tjera për të kuptuar se besimi nuk është kërcënim ndaj qytetarisë. Por sa vite do të na duhen për të kuptuar se njohja nuk është privilegj?  Se një padrejtësi e djeshme nuk korrigjohet domosdoshmërisht duke krijuar një pabarazi të re? Se respekti historik nuk ka nevojë të kthehet në hierarki politike?

Dhe mbi të gjitha: Sa vite do të na duhen, për të mbërritur te ajo që duhet të ishte standardi i një shteti demokratik: barazia?

Një shtet i fortë nuk është ai që zgjedh të preferuarit e tij. Një shtet i fortë është ai që është aq i sigurt në parimet e veta, sa nuk ka nevojë të privilegjojë askënd, për të respektuar të gjithë.

Kjo është Shqipëria që unë dua. Një Shqipëri ku besimi mund të jetë i fortë. Ku identiteti mund të jetë i lirë.  Ku historia mund të nderohet. Ku trashëgimia mund të mbrohet. Por ku qytetaria nuk ndahet sipas përkatësisë.

Nga toleranca te njohja. Nga njohja te barazia. Nga barazia te qytetaria. Dhe nga qytetaria, te një shtet që nuk ka nevojë të krijojë të preferuar, për të dëshmuar se është modern. Një shtet që është vërtet i të gjithëve, nuk ka nevojë të zgjedhë të preferuarit e tij.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.