Nga Yllka Lezo
Nga 3 deri më 12 shtator, Tirana pret edicionin e 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, një rikthim i shumëpritur pas 14 vitesh ndërprerje. Në konkurrimin zyrtar janë përzgjedhur 88 filma, në disa prej kategorive kryesore të kinematografisë shqiptare.
***
Pas një heshtjeje të gjatë, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar rikthehet në Tiranë. Nga 3 deri më 12 shtator, edicioni i 14-të do të mbledhë në kryeqytet filma, regjisorë dhe profesionistë të kinemasë, duke risjellë ngjarjen më të rëndësishme të kinemasë shqiptare e cila kishte mbetur jashtë kalendarit për më shumë se një dekadë.
Edicioni i fundit u mbajt në vitin 2012, në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Që atëherë, skena e kinemasë shqiptare ka ndryshuar: janë shfaqur autorë të rinj, janë realizuar produksione të reja dhe një pjesë e tyre kanë nisur të gjejnë rrugën drejt festivaleve dhe audiencave ndërkombëtare por edhe me një publik që e konsumon filmin në rrethana krejt të ndryshme nga ato të vitit 2012.
Rikthimi i festivalit vjen pikërisht në këtë realitet të ri të kinematografisë shqiptare.
88 filma në konkurrimin zyrtar
Në edicionin e 14-të janë përzgjedhur 88 filma në konkurrimin zyrtar, të ndarë në disa kategori. Gara përfshin filmin e gjatë të karrierës, veprën e parë, filmin e shkurtër, dokumentarin dhe filmin e animuar. Programi plotësohet edhe nga një seksion special.
Kategoritë tregojnë një panoramë të gjerë të prodhimit shqiptar, nga autorët me një rrugëtim të gjatë në kinema te regjisorët që sapo kanë nisur të ndërtojnë gjuhën e tyre filmike.
Në këtë kuptim, ky festival nuk është vetëm një garë për çmime, ai është edhe një mënyrë për të parë se ku ndodhet sot kinemaja shqiptare dhe cilat janë temat, format dhe autorët që po e çojnë atë përpara.
Një festival për publikun dhe kineastët e rinj
Ky organizim synon të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes kinematografisë shqiptare dhe publikut, duke sjellë prodhimet vendase në qendër të vëmendjes.
Një tjetër fokus është brezi i ri. Festivali kërkon të shërbejë si pikë takimi për të rinjtë që duan të hyjnë në industrinë e filmit, duke i afruar ata me autorë dhe profesionistë të fushës.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur produksioni shqiptar nuk kufizohet më vetëm brenda kufijve të vendit. Regjisorë, aktorë dhe producentë shqiptarë janë bërë pjesë e bashkëprodhimeve dhe festivaleve jashtë Shqipërisë, ndërsa temat e lidhura me emigracionin, kujtesën, identitetin dhe përvojën e shqiptarëve jashtë vendit janë bërë gjithnjë e më të pranishme në film.
Rikthimi i festivalit mund të shërbejë edhe si një hapësirë për t’i dhënë publikut shqiptar mundësinë të shohë nga afër këtë panoramë.
Nga 3 deri më 12 shtator, Tirana do të presë kështu edicionin e 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar. Pas 14 vitesh, ekrani i festivalit ndizet sërish.
Gazeta Diaspora Shqiptare do ta ndjekë festivalin gjatë gjithë ditëve të zhvillimit të tij, me shkrime për filmat në garë, regjisorët, aktorët dhe ekipet krijuese, si dhe për historitë që qëndrojnë pas produksioneve të këtij edicioni.
Kliko këtu për programin e plotë të festivalit



