Nga Anila Kadija
Mbyllja e vitit shkollor nuk u zhvillua këtë herë mes bankave të klasës. Për nxënësit e shkollës shqipe “Ardhmëria” në Londër të drejtuar nga mësuesja Anila Kadia, dita e fundit e mësimit u kthye në një udhëtim edukativ në zemër të Muzeut të Shkencës në Londër, ku gjuha shqipe u bë ura që lidhi dijen shkencore me identitetin kulturor.
Nën moton “Mësojmë shqip në muzeum”, një projekt që zhvillohet çdo vit akademik, fëmijët patën mundësinë të eksploronin botën e shkencës, teknologjisë dhe zbulimeve njerëzore, ndërsa çdo shpjegim, diskutim dhe pyetje u zhvillua në gjuhën shqipe.
Vizita nisi me ekspozitën “Kush jam unë?”, e cila i ftoi nxënësit të reflektonin mbi identitetin e tyre. Përmes pyetjeve si “Çfarë të bën ty të jesh ti?”, “Janë kujtimet, pamja apo origjina ajo që na përcakton?”, fëmijët u njohën me mënyrën se si shkenca moderne studion trurin dhe gjenetikën për të kuptuar çfarë e bën çdo individ unik.
Përmes lojërave interaktive dhe teknologjisë, ata testuan emocionet njerëzore – nga frika dhe surpriza te lumturia, misteri, nervozizmi apo argëtimi – duke e përjetuar shkencën në mënyrë praktike dhe tërheqëse.
Një nga momentet që ngjalli më shumë kureshtje ishte njohja me historinë e Helen Sharman, e cila në vitin 1991 u bë britanikja e parë që udhëtoi drejt stacionit hapësinor “Mir”. Nxënësit mësuan se, pas rikthimit në Tokë, astronautja pati nevojë të mësonte sërish të ecte për shkak të përshtatjes me gravitetin, si edhe për rrugëtimin e saj frymëzues nga një kimiste e zakonshme deri në një nga figurat më të njohura të shkencës britanike.
Sipas mësueses Anila Kadia, pikërisht zhvillimi i këtyre aktiviteteve në gjuhën shqipe i bën fëmijët ta përjetojnë ndryshe procesin e të nxënit. Koncepte që zakonisht lidhen me shkencën dhe teknologjinë marrin një dimension të ri kur shpjegohen në gjuhën amtare, duke pasuruar njëkohësisht fjalorin dhe njohuritë e tyre.
Projekti “Mësojmë shqip në muzeum” po shndërrohet në një traditë të përvitshme, duke dëshmuar se mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk kufizohet vetëm në tekstet shkollore. Ai ndërthuret me historinë, kulturën, shkencën dhe përvojat konkrete, duke i ndihmuar fëmijët të zhvillojnë njëkohësisht njohuritë dhe lidhjen me identitetin e tyre shqiptar.
















