Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi do të organizojë aktivitete festive me rastin e mbylljes së vitit shkollor për kurset e gjuhës shqipe në Athinë, Selanik, Tinos dhe Rethymno.
Aktivitetet do të zhvillohen gjatë muajit qershor dhe do të mbledhin nxënës, prindër, mësues dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në një seri festimesh kushtuar gjuhës shqipe, kulturës dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në diasporë.
Në program përfshihen lojëra, këngë, valle, recitime dhe aktivitete krijuese të realizuara nga nxënësit e kurseve, në një atmosferë të dedikuar fëmijëve dhe angazhimit të tyre me gjuhën dhe traditat shqiptare.
Organizatorët theksojnë se këto aktivitete synojnë të forcojnë lidhjen e brezave të rinj me gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare, si dhe të konsolidojnë rolin e shkollave shqipe në ruajtjen e identitetit në diasporë. Ftohen të marrin pjesë nxënësit, prindërit, mësuesit, komunitetet shqiptare dhe të gjithë miqtë e gjuhës shqipe.








