Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë kanë njoftuar organizimin e Seminarit XIX me mësuesit e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë, një nga aktivitetet më të rëndësishme arsimore dhe kulturore për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar tek shqiptarët jashtë trojeve.
Seminari do të mbahet në Kosovë nga data 28 deri më 31 korrik 2026 dhe pritet të mbledhë mësues, studiues dhe veprimtarë të arsimit shqip nga vende të ndryshme të botës.
Sipas njoftimit zyrtar, periudha e aplikimit për abstrakte do të jetë nga 25 maji deri më 9 qershor 2026. Ndërkohë, njoftimi për pranimin e abstrakteve do të publikohet në periudhën 12–15 qershor 2026.
Organizatorët kanë bërë të ditur gjithashtu se dorëzimi paraprak i prezantimeve të plota, përfshirë materialet në format Word, PowerPoint dhe forma të tjera prezantuese, duhet të përfundojë deri më 15 korrik 2026.
Ky seminar tradicional synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet mësuesve të diasporës, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare tek brezat e rinj në mërgatë.



