Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është nderuar në Francë me titullin prestigjioz “Chevalier des Arts et des Lettres”, një nga vlerësimet më të larta që jepet për personalitetet me kontribut të shquar në art dhe kulturë.
Artistja shqiptare, e cila prej vitesh interpreton në teatrot më të rëndësishme të operës në botë, ndau emocionet e saj përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë vlerësim si një moment me rëndësi të veçantë personale dhe artistike.
“Marrja sot e titullit ‘Chevalier des Arts et des Lettres’ është për mua një emocion i jashtëzakonshëm dhe një nder shumë i dashur për zemrën time, aq më tepër sepse Franca përfaqëson për mua dashurinë për artin, kulturën dhe të vërtetën njerëzore”, shkroi Jaho.
Në mesazhin e saj, sopranoja falënderoi të gjithë personat që kanë shoqëruar rrugëtimin e saj artistik, duke përmendur në mënyrë të veçantë agjentin e saj prej shumë vitesh, Dominique Riber, për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si edhe Jean-Philippe Thiellay për përkushtimin ndaj operës dhe kulturës.
Jaho theksoi se ceremonia mori një kuptim edhe më të veçantë pasi u zhvillua në praninë e miqve, dashamirësve të artit dhe publikut që, sipas saj, “i kanë dhënë kuptim të gjitha sakrificave të jetës së një artisti”.
Sopranoja shqiptare shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj Francës për mbështetjen dhe vlerësimin e artit të saj ndër vite.
“E marr këtë dekoratë me përulësi, mirënjohje dhe emocion të thellë. Faleminderit Francë që e mirëprite zërin dhe zemrën time me kaq bujari”, u shpreh ajo.
Në fund të reagimit të saj, artistja falënderoi edhe ambasadorin e Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, për organizimin e pritjes me rastin e këtij vlerësimi.
Ermonela Jaho konsiderohet një nga figurat më të njohura të operës shqiptare në arenën ndërkombëtare, me interpretime në skena prestigjioze si Royal Opera House, Metropolitan Opera dhe Opéra National de Paris.



