17 maji i vitit 2026 shënoi një moment të paharruar për Komunitetin Shqiptar të Selanikut, me promovimin e librit të Dr. Rafail Lipit “Shkrime Historike”, njëkohësisht edhe përkujtimin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Në një atmosferë miqësore, me dhjetra anëtarë të Komunitetit Shqiptar të Selanikut, dhe pjestarë të familjes së Dr. Rafail Lipit, u mblodhën në lokalin “To Steki” të patriotit tonë Thoma Qyli, për këtë aktivitet kulturor dhe përkujtimor.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Komunitetit Shqiptar të Selanikut, Dr. Luan Zyka. Më pas diskutuan poeti dhe shkrimtari Dashnor Selimi, shkrimtari dhe Kryetari i Shoqatës “Drita e Diturisë”, Pirro Shtika, arsimtarja Avgustina Druga, poetja Rakela Zoga, dhe përshëndetën z. Ylli Cani, znj. Alma Sejati dhe znj. Irena Lako.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunitetit Shqiptar të Selanikut theksoi se promovimi nuk ishte thjesht prezantim i një libri, por një kujtesë e përpjekjeve shekullore të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe tërësisë territoriale.
Tej vlerave historike të librit dhe gjithë veprimtarisë së tij pedagogjike edhe shkencore, Dr. Rafail Lipi dallohet për kontributin e tij madhor, të palodhshëm si Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit Shqiptar të Selanikut.
Autori u ndal te rëndësia e këtij botimi si një kujtesë për historinë e kombit tonë, fryt i një pune të gjatë, shpesh të ndërprerë për arsye objektive që sjell emigracioni, por pa u shkëputur asnjëherë nga lidhja shpirtërore me Shqipërinë dhe historinë e saj.
Autori theksoi se është mbështetur në një bibliografi të gjerë, duke u përpjekur të jetë sa më objektiv dhe pranë dokumenteve të kohës, larg politizimit.
Libri ndahet në dy pjesë:
Pjesa e parë, “Lëvizja demokratike në Prefekturën e Shkodrës në vitet 1921–1924”, sjell fakte, analiza dhe dëshmi historike me vlerë për atë periudhë të trazuar, kur idealet demokratike kërkonin të viheshin në jetë dhe kur Shkodra u bë frymëzuese dhe mbështetëse e tyre.
Pjesa e dytë, “Një udhëtim në shekuj”, përmbledh 11 artikuj nga momentet kryesore të historisë së kombit shqiptar, që nga periudha prehistorike deri te Lufta Nacionalçlirimtare, ku trajtohen tema me karakter historik, kulturor dhe shoqëror.
“Si shkodran prej Korçe”, – u shpreh me humor autori, – “u kam bërë qejfin edhe shkodranëve me pjesën e parë të librit, por edhe korçarëve me dy artikujt e pjesës së dytë.”
Pjesa e parë është një përpunim dhe shkurtim i disertacionit të mbrojtur në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave në vitin 1986, ndërsa një pjesë e artikujve të pjesës së dytë janë botuar më parë në revista shkencore dhe në shtypin periodik. Edhe pse këto shkrime mund të mos sjellin gjithmonë fakte të panjohura, ato karakterizohen nga analiza, konkluzione dhe kritika ndaj keqinterpretimeve dhe mjegullimit të ngjarjeve historike apo figurave patriotike, në emër të rishikimit të historisë.