Në Tirolin e Jugut, festivali i kulturave dhe gjuhëve “Quo Vadis?” i kushton këtë vit një hapësirë të veçantë Shqipërisë, përmes një muaji të pasur me ekspozita, punëtori traditash, koncerte, filma dhe debate. Aktivitetet vendosin në qendër historinë, identitetin dhe jetën e komunitetit shqiptar, si një nga pranitë më të mëdha migrante në rajon, duke e shtrirë rrëfimin kulturor mes Laives, Bolzanos dhe Meranos.
Një nga momentet kryesore të festivalit ekspozita “Mirë se vini, Mirë se ju gjeta / Benvenuti, Bentrovati”, e Daria Akimenko, Joana Preza e Stefania Rossi, kuruar nga Margherita Cestari dhe Samira Mosca, e cila ofron një vështrim intim mbi jetën e komunitetit shqiptar në Alto Adige. Përmes dëshmive dhe materialeve artistike, ekspozita “hyn” në hapësirat e përditshme të familjeve shqiptare dhe tregon mënyrën e tyre të integrimit dhe bashkëjetesës.
Sipas vlerësimeve të përmendura në ekspozitë, vetëm në Tirolin e Jugut jetojnë mbi 12 mijë shqiptarë, duke përfshirë edhe shqiptarët e trojeve nga nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi. Shqiptarët janë të pranishëm në sektorë të ndryshëm si ndërtimi, gastronomia, tregtia, shërbimet dhe arsimi.
Një nga zërat e përfshirë në ekspozitë është Mirela Tomassini, me origjinë nga Tirana, nënkryetare e shoqatës pan-shqiptare “Arbëria” dhe anëtare e Këshillit të Migrantëve. Ajo, së bashku me familje të reja si Lori, Jetmir dhe Sirio, sjellin historitë e tyre personale mbi jetën dhe integrimin në shoqërinë lokale. Tomassini thekson edhe praninë e mjekëve shqiptarë që punojnë si në spitale ashtu edhe si mjekë familjeje.
Festivalit “Quo Vadis?”, i cili këtë vit shënon edicionin e pestë dhe zgjat deri më 7 qershor, i bashkohen aktivitete të ndryshme si ekspozita, konferenca, punëtori gjuhe dhe kulinarie, si dhe ngjarje muzikore të hapura për publikun. Organizator është shoqata “lasecondaluna”, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë dhe komunitetin shqiptar në Itali.
Në plan afatshkurtër parashikohet hapja e një seksioni në gjuhën shqipe në bibliotekën civile të Bolzanos, si dhe nisja e një kursi të gjuhës shqipe nga shtatori.
Në kuadër të festivalit është prezantuar edhe ekspozita e artistit me origjinë shqiptare Edson Luli, me titullin provokues “I don’t see any nouns, I see only verbs”, e cila eksploron marrëdhënien mes gjuhës, hapësirës dhe kohës. Luli, i lindur në Shkodër dhe i diplomuar në Akademinë e Breras në Milano, ka ekspozuar në disa qytete evropiane dhe jashtë saj.
Hyrja në të gjitha aktivitetet dhe ekspozitat e festivalit i cili do tw zgjese deri me është falas.
Për të parë kalendarin e plotë të aktiviteteve kliko këtu:








