Shoqata “Bijtë e Shqipes” dhe Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” patën privilegjin dhe nderin e veçantë të mirëprisnin në qendrën e tyre personalitete të shquara të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët me përkushtimin, veprimtarinë dhe kontributin e tyre kanë dhënë një ndikim të çmuar në forcimin dhe promovimin e komunitetit shqiptar.
Vizitorët u pritën ngrohtësisht nga kryesia e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në një atmosferë respekti, bashkëpunimi dhe vlerësimi të ndërsjellë. Gjatë takimit u theksua rëndësia e ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë.
Mirënjohje e thellë iu shpreh filantropes së njohur znj. Fotini Allteni Kokeri, Trustee e Fondacionit “The Michael J. Kosloski”, si dhe znj. Britney Allteni, Co-Trustee, për zemërgjerësinë, humanizmin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” dhe çështjes kombëtare shqiptare në diasporë.
Respekt i veçantë iu dedikua edhe fotografit me famë ndërkombëtare Fadil Berisha, një figurë frymëzuese e kombit shqiptar, i cili prej vitesh promovon me dinjitet kulturën, identitetin dhe vlerat shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kontributi i tij, së bashku me mbështetjen e familjes Allteni për diasporën shqiptare në SHBA, u vlerësua si i jashtëzakonshëm dhe me rëndësi të veçantë për komunitetin.
Vlerësim të lartë mori gjithashtu znj. Roberta Panariti Nashi, presidente e organizatës “Albanians Fighting Against Cancer USA”, për përkushtimin human dhe veprimtarinë e saj fisnike në shërbim të komunitetit shqiptar.
Kjo vizitë u nderua edhe nga prania e Ambasadorit të Shqipërisë në SHBA, z. Ervin Bushati, Konsullit të Nderit Dr. Gentian Toshkezi, z. Ervin Toro, themelues i “National Albanian Registry”, si dhe znj. Nilda Salavaci, presidente e “AANO Philadelphia Chapter”, duke i dhënë këtij takimi një rëndësi të veçantë institucionale, kombëtare dhe komunitare.
Takime të tilla forcojnë edhe më shumë lidhjet brenda komunitetit shqiptar në diasporë dhe motivojnë vazhdimin e misionit për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare tek brezat e rinj.



