Një mbrëmje e veçantë reflektimi dhe dialogu do të mbledhë personalitete të njohura nga politika, akademia dhe jeta publike për të diskutuar mbi migracionin, identitetin, lidershipin dhe koston personale të ambicies, përmes prezantimit të romanit “In Between” në ambientet e Universitetit Westminister në Londër ditën e nesërme 14 maj ora 6:30 – 8:00 (Hyrja e lirë)..
Diskutojnë në panel: Petros Karatsareas (Moderator), Lektor i asociuar për shumëgjuhësinë dhe kontaktin gjuhësor, University of Westminster; Dimitra Gkitsa, Pedagoge për kurim kulturor dhe lidership kulturor, University of Southampton; Lina Pazou, Menaxhere e licencuar e kujdesit, specialiste për demencën; Rudina Suti Drejtuese tregu dhe mbledhëse fondesh; Mirela Xhaferraj
Mësuese e gjuhës shqipe, UCL School of Slavonic and East European Studies, përkthyese dhe Ridvald Dhimo, Autor i librit “In Between: Ngritja e papritur e një emigranti drejt pushtetit”
Romani ndjek historinë e Tanit, i cili në vitet e vona të jetës së tij, në një ishull të qetë grek, përballet me kujtimet e së kaluarës pas një lajmi tragjik mbi një mbytje emigrantësh në Egje. Kujtesa e rikthen tek rrugëtimi i prindërve të tij nga Shqipëria drejt Greqisë, migrimi i tij në Londër e më pas në Shtetet e Bashkuara, si dhe tek miqësitë, dashuria, ambicia dhe kompromiset që formësojnë jetën e një njeriu.
Përmes një rrëfimi që lëviz mes Shqipërisë, Greqisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, “In Between” paraqet historinë e një njeriu të vendosur për të mos pranuar kufijtë që i imponohen nga shoqëria. Ngjitja e tij drejt postit të Kryeministrit vjen mes sfidave politike, krizave ekonomike dhe konflikteve personale, duke ngritur pyetje të forta mbi besnikërinë, identitetin, lirinë dhe çmimin e suksesit.
Ngjarja synon të shkojë përtej një promovimi tradicional libri, duke krijuar një diskutim të hapur dhe të gjallë mbi përvojën e migrimit si një gjendje e vazhdueshme mes atdheut, idealeve dhe identitetit personal. Përmes ndërhyrjeve të shkurtra nga të ftuarit dhe bashkëbisedimit me publikun, mbrëmja pritet të nxisë debat, reflektim dhe shkëmbim mendimesh mbi përkatësinë, pushtetin dhe përgjegjësinë në botën e sotme.
“In Between” vjen si një histori mbi ambicien dhe përkatësinë, mbi mërgimin dhe rikthimin, duke sjellë portretin emocional dhe politik të një njeriu që, edhe në kulmin e pushtetit, mbetet mes jetës që ka jetuar dhe asaj që kishte imagjinuar.



