Një udhëtim i veçantë edukativ por edhe emocional u realizua me nxënës, mësues dhe prindër të kursit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe “Progresi” në Selanik, Greqi, me qëllim përcjelljen e dashurisë për Kosovën dhe forcimin e lidhjes me atdheun.
Në këtë përvojë të përbashkët, pjesëmarrësit vizituan Kosovën, duke e përjetuar nga afër historinë, kulturën dhe jetën e saj. Për organizatorët, ky udhëtim kishte një mision të qartë: dashuria për atdheun nuk mësohet vetëm nga librat, por lind dhe forcohet përmes përjetimit, emocioneve dhe kujtimeve të gjalla.
“E dua Kosovën për historinë e saj të vjetër dhe të re, për rrugëtimin e vështirë drejt lirisë, për viset dhe natyrën e bukur, si dhe për njerëzit e saj atdhetarë,” u shpreh organizatorja e aktivitetit, duke theksuar se Kosova mbetet një pjesë e rëndësishme e identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë.
Sipas saj, mësimi i historisë së Dardanisë nuk kufizohet vetëm në tekstet shkollore, të cilat shpesh janë të paplota, por zhvillohet edhe përmes mënyrës së të rrëfyerit, emocioneve dhe lidhjes së vendeve me historinë dhe ndjenjat njerëzore.
“Nëse fëmijët nuk e shprehin menjëherë, diçka do të mbetet brenda tyre – një kujtim, një kuriozitet,” u theksua gjatë aktivitetit.
Gjatë udhëtimit, nxënësit dhe familjet patën mundësinë të përjetojnë momente të shumta të bukura: vizita kulturore, aktivitete të përbashkëta, kërcime tradicionale, fotografi dhe bashkëbisedime që forcuan lidhjet mes tyre. Atmosfera u karakterizua nga gëzimi, afërsia dhe ndjenja e fortë e përkatësisë.
Organizatorët theksuan se dashuria për atdheun nuk imponohet, por “ndizet” ngadalë, përmes përvojave që lënë gjurmë. Ky udhëtim synoi pikërisht këtë: të krijojë kujtime të bukura që mbeten gjatë në mendjen dhe zemrën e fëmijëve.
Në përfundim, pjesëmarrësit shprehën dëshirën për t’u rikthyer sërish në Kosovë, për ta parë edhe një herë dhe për të mos e harruar kurrë, duke e konsideruar këtë përvojë një hap të rëndësishëm në forcimin e identitetit kombëtar dhe lidhjes me atdheun.




