Nga Soni Memoci
Sot, fjala duket e vogël përballë humbjes së një mendjeje kaq të madhe.
Me ikjen e Rexhep Qosja, duket sikur një pjesë e shpirtit të kulturës sonë hesht për një çast. Por vetëm për një çast — sepse mendimet, fjalët dhe veprat e tij do të vazhdojnë të jetojnë gjatë në ndërgjegjen tonë kombëtare.
Ai ishte më shumë se një shkrimtar dhe akademik. Ishte një institucion i mendimit shqiptar. Një udhërrëfyes i shpirtit tonë kombëtar, që për mbi shtatë dekada ndriti mendjet e bashkëkombësve të tij, çjerri maskat e padrejtësive dhe i dha zë të vërtetës, edhe kur ajo ishte e vështirë për t’u thënë.
Për ne në diasporë, humbja e tij ka një peshë të veçantë. Sepse ai ishte një nga ata zëra që na mbante të lidhur me rrënjët tona — me gjuhën, me historinë dhe me identitetin shqiptar. Në largësi, fjala e tij ishte afërsi. Mendimi i tij ishte orientim.
Sot, më 23 prill — një datë me simbolikë të thellë për botën e letrave — kujtohen dy kolosë të letërsisë botërore: Miguel de Cervantes dhe William Shakespeare. Kjo datë shënon edhe Ditën Botërore të Librit, një ditë kushtuar fuqisë së fjalës dhe mendimit.
Në këtë të njëjtë ditë, qindra vite më vonë, ne shqiptarët i japim lamtumirën një kolosi të letrave tona.
Ndoshta nuk është thjesht një përkim datash. Ndoshta është një kujtesë se mendjet e mëdha, kudo që lindin, i përkasin përjetësisë.
Ashtu si një “Volter i Gadishullit Ilirik”, ai përdori dijen si dritë dhe fjalën si forcë. Ashtu si një qiri i trashëgimisë së Naim Frashëri, ai mbajti të ndezur ndërgjegjen tonë kombëtare në kohë të vështira.
Ai ishte — dhe mbetet — shpërblesëtari më i madh i dijeve që na mungojnë.
Sot, diaspora shqiptare përkulet me respekt.
Sepse largësia nuk e zbeh dhimbjen — dhe as krenarinë.
Lamtumirë, Profesor.
U prehtë në paqe.
Trashëgimia juaj do të jetojë kudo ku flitet dhe mendohet shqip



