Katedra e Albanologjisë në Universitetin “Ludwig-Maximilian” i Mynihut ka nisur një seri të re ligjëratash online me titull “Global Voices in Albanology”, një nismë akademike që synon të sjellë në vëmendje kërkime bashkëkohore dhe zëra të spikatur të albanologjisë ndërkombëtare.
Kjo seri ligjëratash do të zhvillohet në format online dhe do të ftojë studiues të njohur nga fusha të ndryshme, me synimin për të zgjeruar dialogun shkencor dhe për të nxitur diskutime ndërdisiplinore, si brenda komunitetit akademik, ashtu edhe me publikun e gjerë.
Ligjërata e parë në kuadër të kësaj serie do të mbahet nga Marek Majer, studiues në Universiteti i Łódź-it. Tema e tij, “Linguistic and cultural insights into Albanian etymology: On the origins of the words ‘motër’ dhe ‘kra(j)l’”, trajton çështje të rëndësishme të etimologjisë së gjuhës shqipe dhe pritet të sjellë këndvështrime të reja shkencore mbi origjinën e këtyre fjalëve.
Ligjërata do të mbahet më 30 prill, në orën 15:00 (CEST), përmes platformës Zoom. Organizatorët u bëjnë thirrje të interesuarve të regjistrohen paraprakisht për të marrë informacionet e nevojshme dhe lidhjen e pjesëmarrjes.
Seria “Global Voices in Albanology” pritet të shndërrohet në një platformë të rëndësishme ndërkombëtare për promovimin e studimeve albanologjike dhe për forcimin e bashkëpunimit akademik në këtë fushë.
*Nëse dëshironi të merrni informacione të mëtejshme rreth
OLS-së “Global Voices in Albanology”, përfshirë lidhjet (links) në Zoom
për këtë ligjëratë dhe të tjerat që pasojnë, si dhe në qoftë se keni
ndonjë pyetje, ju ftojmë të regjistroheni përmes formularit në vijim:
Vështrime gjuhësore dhe kulturore mbi etimologjinë shqiptare:
Mbi origjinën e fjalëve “motër” dhe “kra(j)l”
Marek Majer, Universiteti i Lodz-it
MOTËR: Fjala “motër” prej kohësh konsiderohet si një term i trashëguar nga indoevropianishtja dhe lidhet me emrin proto-indoevropian *mah₂ter- (“nënë”). Megjithatë, kalimi kuptimor nga “nënë” në “motër” ka qenë një enigmë e njohur. Duke u mbështetur në një sugjerim të anashkaluar më herët nga Eric Hamp, propozohet që “motër” në shqip nuk është vazhdim i drejtpërdrejtë i kësaj forme, por një derivat i saj, konkretisht nga një mbiemër *mah₂tr-ah₂-, që fillimisht ka pasur kuptimin “nga e njëjta nënë”.
Kjo shpjegon kuptimin pa pasur nevojë për hipoteza të ndërlikuara mbi transformime të mëdha në terminologjinë e farefisnisë në (para)shqipe, siç është supozuar në studime të mëparshme. Kështu, termi vendoset në të njëjtin nivel me fjalën “vëlla”, e cila rrjedh nga një formë proto-indoevropiane me kuptimin “i të njëjtit gjak”.
KRA(J)L: Sa i përket fjalës “kra(j)l” (“monark i huaj”), shumë aspekte të historisë së saj si huazim nga sllavishtja (krahaso serbisht kralj, bullgarisht dhe maqedonisht kral – “mbret”) mbeten pak të studiuara. Studimi e trajton këtë çështje në të gjithë kontekstin dhe zhvillimin e saj kronologjik: duke filluar nga origjina në emrin mbretëror frank Kar(a)l (“Karl/Charles”), më pas integrimin në sllavisht si mbiemër posesiv Korl’ь (“njeri i Karlit”), evoluimin semantik në gjuhë të ndryshme sllave dhe, në fund, rrugët e huazimit në shqip.
Gjithashtu diskutohet edhe problemi i origjinës së tingullit -j- në variantin “krajl”.



