Ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, përmes një letre drejtuar gazetës britanike The Guardian, ka ngritur zërin në mbrojtje të komunitetit shqiptar në Britani duke kritikuar ashpër stigmatizimin që, sipas tij, po u bëhet qytetarëve të ligjshëm, punëtorëve dhe profesionistëve shqiptarë nga disa media dhe politikanë të krahut të djathtë. Ai thekson se ky perceptim i padrejtë po ndikon negativisht në jetën e përditshme të komunitetit shqiptar dhe po ushqen paragjykime të rrezikshme në shoqërinë britanike shkruan Diaspora Shqiptare.
“Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar, po bëhen kokë turku nga mediat dhe politikanët e krahut të djathtë”, thotë ambasadori Uran Ferizi në letrën drejtuar gazetës “ The Guardian” ku kritikon ‘obsesionin’ me demonizimin e shqiptarëve
Janë shqiptarët në Britani që po paguajnë çmimin e këtij obsesioni nga mediat dhe politikanët e krahut të djathtë në shkolla dhe vende pune tha ambasadori shqiptar.
Uran Ferizi gjithashtu kritikon edhe sekretaren e brendshme Shabana Mahmood për komentet në parlament ku ajo ju referua shqiptarëve teksa diskutoi problemet me emigracionin.
“Obsesioni me demonizimin e shqiptarëve ka arritur në foltoret e parlamentit”, tha ambasadori për The Guardian.
“Kur një ministër përmend një kombësi në parlament, në vend të një sjelljeje ose një lloj të caktuar krimi, atëherë nuk po përshkruan një problem, por po krijon një shënjestër.”
Ferizi, përvoja e parë e të cilit në Britani ishte si adoleshent migrant i paligjshëm përpara se të vazhdonte të studionte matematikë në Universitetin e Oksfordit katër vjet më vonë, përdori një letër drejtuar Guardian për të ngritur çështjen e asaj që ai e karakterizoi si keqraportim të statistikave në Telegraph (tjetër media britanike) dhe media të tjera në lidhje me shkallën e përfshirjes së shqiptarëve në krimin në Mbretërinë e Bashkuar.
Por ai gjithashtu në letrën dërguar Guardian zgjeron kritikën, duke ngritur në mënyrë implicite çështjen e komenteve të politikanëve me origjinë jo britanike, brez i dytë apo i tretë i familjeve migrante ne Britani përfshirë Mahmood, Suella Braverman dhe të tjerë.
“Është veçanërisht dekurajuese të shohësh politikanë që janë vetë emigrantë të gjeneratës së dytë duke sulmuar emigrantët që i kanë ndjekur ata në Britani,” tha ai.
Ambasadori tha se ndikimi i portretizimeve negative të shqiptarëve në media dhe nga politikanët është ndjerë nga komuniteti, duke përfshirë këtu punëtorët, familjet dhe nxënësit e shkollës raporton Diaspora Shqiptare.
“Është krijuar një model në shtypin britanik në të cilin statistikat selektive zhvishen nga konteksti dhe amplifikohen”, shkruan ambasadori në letrën e tij.
Ferizi citon gjithashtu një analizë të publikuar në Daily Telegraph në vitin 2024, e cila pohonte se një në 50 shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte në burg, shkalla më e keqe nga çdo kombësi. Megjithatë, ai tha se kjo ishte arritur nga një proces “që injoron procedurat më elementare për të siguruar saktësinë statistikore”.
“Nëse numri i shqiptarëve në burg peshohet me numrin aktual të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, jo vetëm me një nëngrup shumë të vogël të tyre, dhe kontrollohet për seks, moshë dhe të ardhura, rezultati është se shqiptarët burgosen me të njëjtën shkallë si britanikët vendas. Por kjo nuk e përforcon paragjykimin se shqiptarët janë një grup jashtëzakonisht kriminal, kështu që nuk botohet.”
Ambasadori e krahason këtë damkosje negative të shqiptarëve me përvojën e grupeve të mëparshme të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.
“Janë prekur hebrenjtë, irlandezët, polakët. Çdo herë rrëfimi zbulonte ankthet e momentit në vend të karakterit të njerëzve”, tha ai.
Referenca e ambasadores ndaj Mahmood ishte në lidhje me komentet e saj në parlament në nëntor, kur ajo paraqiti plane kontraverse për ndryshimin më të madh të ligjeve të azilit në 40 vjet.
E pyetur nga kolegia e saj deputete laburiste Stella Creasy në lidhje me implikimet për fëmijët, sekretarja e brendshme tha se ishte i nevojshëm konteksti në lidhje me “familjet e dështuara që kërkonin azil”.
“Aktualisht ka 700 familje shqiptare që kanë bërë kërkesa për azil dhe kërkesat e të cilave për azil kanë dështuar”, tha ajo.
Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar ngurrojnë të flasin publikisht për përvojat e tyre negative, por një numër rastesh iu cituan Guardian nga ambasada.
Ato përfshinin një grua të suksesshme shqiptare në sektorin e teknologjisë, e cila ngurronte të ndante një postim në LinkedIn në lidhje me një ngjarje në Shqipëri, pasi u bënë komente në funksionet e punës për shqiptarët si “kriminelë dhe të rrezikshëm”.
Ajo dhe të tjerë gjithashtu tregojnë se kishin përjetuar diskriminim kur bëhej fjalë për ngritjet në detyrë.
Ariseld Muca, i cili drejton një kompani në sektorin e mirëmbajtjes së pronave në Londër, postoi në Instagram rreth përvojës së tij, në të cilën klientët vazhdimisht sillnin lajme rreth “kriminelëve shqiptarë”.
“Si mund ta mbyll marrëveshjen kur klientët e mi më pyesin nga jam dhe e tëra që dëgjojnë në lajme është se kriminelët shqiptarë po pushtojnë Londrën?” tha ai.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha: “Ne e vlerësojmë shumë komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe partneritetin tonë të gjatë me qeverinë shqiptare për të goditur migrimin e paligjshëm dhe kriminalitetin.
“Kushdo, pavarësisht kombësisë, që është në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme, nuk duhet të ketë dyshime se do të largohet sa më shpejt të jetë e mundur.”
“Telegraph është kontaktuar për koment” përfundon shkrimin “The Guardian”.
Përktheu dhe përshtati Diaspora Shqiptare



