Këtë vit, Shqipëria shënon 35 vjet nga nisja e tranzicionit drejt ekonomisë së tregut. Është një përvjetor simbolik, jo vetëm për ndryshimin e sistemit politik, por për lindjen, rritjen dhe transformimin e shoqërisë shqiptare të shndërruar në kapitaliste. Një kapitalizëm i ndërtuar shpejt, pa dijeni të trashëguara, shpesh në kushte kaotike, me fitore të rëndësishme, por edhe me kosto të larta sociale
Nga Prof.Asoc.Dr. Mateo SPAHO
Vitet e para të pas-komunizmit
Vitet e para të pas-komunizmit u karakterizuan nga një kalim brutal nga ekonomia e planifikuar në tregun e lirë. Privatizimi masiv i ndërmarrjeve shtetërore, liberalizimi i çmimeve dhe hapja e tregtisë ndodhën më shpejt se ndërtimi i institucioneve. Ligji mbi tokën 7501 dhe lejimi i shkatërrimit të infrastrukturës industriale janë plage që vendi po i ndjen ende sot. Biznesi shqiptar i kësaj periudhe ishte kryesisht mikro-biznes familjar, tregti e vogël, shërbime bazike dhe aktivitet informal. Shteti ishte i dobët, rregullimi minimal dhe ekonomia funksiononte më shumë mbi instinktin sesa mbi rregulla. Rënia e skemave piramidale në vitin 1997 ekspozoi qartë mungesën e mbikëqyrjes financiare dhe një kapitalizëm të pa-ankoruar në institucione.
Pas krizës së 1997-s, Shqipëria hyri në një periudhë stabilizimi makroekonomik. Inflacioni u kontrollua, sistemi bankar u rindërtua dhe u hap. Linden kompanitë e sigurimeve, tregu mediatik dhe u krijuan bazat e një shteti funksional. Kapitalizmi shqiptar filloi të marrë formë më klasike: ndërtim, shërbime, financa, tregti me pakicë dhe investime të para të huaja.
Biznesi u formalizua gradualisht, por mbeti i fragmentuar dhe me produktivitet të ulët. Ndërtimi u shndërrua në motorin kryesor të rritjes ekonomike, ndërsa remitancat nga emigrantët u bënë burim kyç financimi. Shteti luajti një rol më të qartë si rregullator, por shpesh selektiv dhe i politizuar. Në vitin 2005 në Shqipëri rezultonin vetëm 384 biznese me më shumë se 50 të punësuar, ose biznese të mëdha dhe zyrtarisht ishin të punësuar vetëm 400 mijë persona (nga të cilët 175 mijë në shtët) ndërkohë që 600 mijë të tjerë ishin informalë.
Rritja e biznesit shqiptar
Me kalimin e viteve, në mënyrë progresive u rrit numri i bizneseve, fushat ku ato vepronin dhe paralelisht u zvogëluan ndërprerjet e energjise elektrike, u rrit furnizimi me ujë dhe vendi pati një rritje të ndjeshme të ri-ndërtimit infrastrukturor (rrugë, aeroporte, porte, ujësjellësa, kanale vaditëse e kulluese), duke e bërë vendin më të aksesueshëm dhe të vizitueshëm nga investitorët e huaj dhe emigrantët Shqiptare. Niveli i aktiviteteve kriminale dhe informaliteti u reduktuan dhe si pasoje stabilitetit i vendit u rrit. Hyrja në NATO dhe liberalizimi i vizave ishin në të njëjtën kohë një rezultat i këtyre arritjeve dhe një themel për një mjedis më të favorshëm për një rrije ekonomike të mëtejshme. Kriza globale financiare e vitit 2008 nuk e goditi drejtpërdrejt Shqipërinë, gjithsesi ajo nxori në pah dobësitë strukturore të modelit ekonomik. Rritja vazhdoi, por e mbështetur kryesisht në ndërtim, konsum dhe shpenzime publike, jo në industri apo inovacion.
Bizneset e mëdha filluan të konsolidohen, ndërsa u krijua një hendek i qartë mes ndërmarrjeve të vogla dhe një grupi të kufizuar kompanish me akses në kapital, tenderë dhe tregje. Kapitalizmi shqiptar u bë më i organizuar, por jo domosdoshmërisht më konkurrues. Në vitin 2013 bizneset e mëdha u rritën në 1138 dhe të punësuarit zyrtarë u shtuan me 25%, në raport me vitin 2005.
Pandemia COVID-19, tërmeti i vitit 2019 dhe tensionet globale testuan rezistencën e ekonomisë shqiptare. Shteti u rikthye si aktor aktiv përmes ndërhyrjeve fiskale, subvencioneve dhe investimeve publike, duke rritur ndjeshëm borxhin publik.
Në të njëjtën kohë, u përshpejtuan disa trende strukturore pozitive si digjitalizimi i shërbimeve, rritja e turizmit si pasojë e permirësimit të imazhit të vendit dhe të ndërhyrjeve konkrete në infrastrukture dhe në aredimin urban. Kjo solli edhe rritjen e mëtejshme të sektorit të ndërtimit gjatë bregdetit si dhe në aksin Tiranë-Durrës.

Zhvillimi i vrullshëm në vitet e fundit
Shqiptarët sot gëzojnë dhe vuajnë nga rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme. Sektorit bankar dhe financiar u konsolidua dhe më tej e me të ka filluar edhe rritja e sektorit të teknologjisë se inflormacionit. Kapitalizmi shqiptar sot është më i sofistikuar se kurrë më parë! A mjafton kjo? Natyrisht Jo!
Bujqësia shqiptare në vitet 2024–2025 paraqet një situatë kontradiktore: ajo mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm për punësimin dhe sigurinë ushqimore të vendit, por njëkohësisht është sektori më pak produktiv dhe më problematik. Aktualisht, bujqësia kontribuon rreth 15%të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe në teori punëson afërsisht 30–31% të forcës së punës, në praktikë më shumë se gjysma e të punësuarve kane emigruar jashtë shtetit. Struktura e fermave përbën një nga problemet kryesore. Madhësia mesatare e fermës është rreth 1.2 hektarë dhe toka është e fragmentuar në disa parcela të vogla, çka e bën të vështirë mekanizimin, modernizimin dhe certifikimin për tregjet e huaja. Si pasojë, shumica e fermave funksionojnë në nivel familjar.
Prodhimi bujqësor karakterizohet nga rendimente relativisht të ulëta dhe konkurohet nga produkte të huaja të subvencionuara nga vendet e origjinës. Shqipëria ndonëse eksporton produkte si perime të freskëta, bimë mjekësore dhe vaj ulliri, mbetet ende shumë e varur nga importet ushqimore, duke krijuar një deficit të thellë tregtar. Financimi bankar për bujqësinë është i kufizuar. Pa konsolidim të pronësisë së tokës, investime në agro-industri dhe orientim drejt zinxhirëve të vlerës, sektori rrezikon të mbetet një barrë apo frenë për transformimin ekonomik afatgjatë të vendit.
Industria shqiptare përballet me një sërë problemesh strukturore dhe ciklike, të cilat e kanë penguar të shndërrohet në një motor të qëndrueshëm të rritjes ekonomike. Megjithëse kontributi i saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto është rritur lehtë vitet e fundit, industria mbetet e fragmentuar, me vlerë të shtuar të ulët dhe të varur nga faktorë të jashtëm si luhatjet e çmimeve të energjisë, kursi i këmbimit, inflacioni dhe ndryshimet në kërkesën e tregjeve të huaja.
Pjesa më e madhe e aktivitetit industrial përqendrohet në fasoneri, përpunim të thjeshtë ushqimor dhe materiale ndërtimi. Këto aktivitete janë intensive në punë, por me teknologji të ulët dhe marzhe të kufizuara fitimi, duke e bërë sektorin pak konkurrues. Industria shqiptare tashmë vuan edhe gjithashtu nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Emigracioni, plakja e popullsisë dhe mos-përputhja mes arsimit profesional dhe nevojave të tregut kanë krijuar mungesa serioze në profile teknike dhe inxhinierike, duke rritur kostot për bizneset.
Në 35 vjet, shteti shqiptar ka kaluar nga pothuajse nga një mungesë totale, tek një prani e fortë në ekonomi. Problemi nuk është më mungesa e shtetit por cilësia e tij: kapacitetet institucionale, transparenca, konkurrenca e ndershme dhe barazia para ligjit.
Kapitalizmi shqiptar ka prodhuar rritje ekonomike, pasuri private dhe integrim në tregjet rajonale, por ende nuk ka ndalur emigracionin masiv. Sfida e dekadës së ardhshme nuk është më kalimi në treg, por kalimi në një kapitalizëm produktiv e të qëndrueshëm.
Gota nuk duhet parë vetëm gjysëm bosh!
Ne vitin 1991 një shqiptar kishte reth 200 dollar në vit të ardhura për frymë dhe nga 187 shtete ishte në pozicionin e 184. Kjo do të thotë se vec tre vendeve të Afrikës, gjithë shtetet e tjera kanë qenë më mirë se ne! Në fundin e vitit 2025 të ardhurat për frymë kanë qenë reth 13.100 dollar duke e vendosur Shqipërinë në vendin 104 nga 218 shtete, duke lënë pas vende si Moldavi, Kosova, Bosnja dhe se fundmi Maqedoninë e Veriut!
Kjo është meritë e kapitalizmit Shqiptar i cili sot numuron me shume sa 2000 biznese të mëdha ( mbi 50 të punesuar) dhe punëson mbi 570 mije persona nga 750 mije të punësuar zyrëtarisht. Kapitalizmi Shqiptar sot prodhon mbi 30 miliard dollar cdo vit dhe shteti Shqiptar merr nga keto biznese mbi 9 miliard për të krijuar “Buxhetin e shtetit”. Investimet e Huaja Direkte kanë arritur nivelin e 1.8 milard dollarë në vit.
Paga mesatare sot ka tejkaluar masen e 1000 dollarëve në muaj (50 herë më shumë se në vitin 1991) dhe fuqia blerëse e tyre në këto 35 vite është 20 fishuar. Kjo do të thotë se kapitalizmi, edhe ai shqiptar, nuk i bënë mirë vetëm pronarëve!
Përpara kapitalizmi dhe ekonomia Shqiptare kanë plot sfida, por nuk ka vend për pesimizëm!



