Nga Esat Braçe
Me krenari të veçantë, komuniteti shqiptar në Londër u përfaqësua në mënyrë dinjitoze në Samitin e Diasporës në Tiranë 2026 nga znj. Ana Suci dhe znj. Lina Meza, përfaqësuese të Shoqatës “Nënë Tereza”.
Pjesëmarrja e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare ishte një përvojë e shkëlqyer, duke ofruar mundësi të vlefshme për shkëmbim idesh, krijim bashkëpunimesh dhe forcim të lidhjeve mes diasporës dhe institucioneve në Shqipëri. Ishte një kënaqësi e veçantë të takoheshin me përfaqësues të diasporës nga vende të ndryshme dhe të shkëmbenin eksperiencat në fushën e edukimit, duke ndarë praktika dhe ide që kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të komuniteteve tona.
Për ne, kjo ishte hera e parë që merrnim pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm, dhe emocionet ishin të mëdha, sidomos kur diaspora bashkohet në vendlindje, duke krijuar një ndjenjë të fortë uniteti dhe përkatësie.
Gjithashtu, rastësisht patëm mundësinë të takonim shumë shokë dhe miq nga diaspora, duke e bërë këtë përvojë edhe më të veçantë. Njëkohësisht, patëm nderin të takonim Ambasadorin e Shqipërisë në Londër, z. Uran Ferizi, një moment i rëndësishëm që forcon lidhjet institucionale dhe komunitare.
Në këtë samit, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bajram Begaj, si dhe nga Kryeministri, z. Edi Rama, duke theksuar rëndësinë e diasporës në zhvillimin dhe promovimin e vendit.
Gjatë samitit, u prezantua puna dhe iniciativat e zhvilluara në Londër, veçanërisht në fushën e edukimit, kulturës dhe përfshirjes sociale, duke reflektuar angazhimin dhe ndikimin pozitiv të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky përfaqësim përforcon rolin aktiv të diasporës dhe shërben si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të projekteve të përbashkëta në të ardhmen.
Shoqata “Nënë Tereza” mbetet e përkushtuar në promovimin e vlerave tona kombëtare, fuqizimin e komunitetit dhe ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme mes shqiptarëve kudo që ndodhen.



