Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë ka njoftuar nisjen e një shërbimi të dedikuar konsullor për qytetarët shqiptarë që ndodhen në Zvicër dhe që e kanë të pamundur të paraqiten fizikisht pranë përfaqësisë apo të udhëtojnë drejt Shqipërisë për aplikim për dokumente identifikimi.
Ky shërbim vjen në kuadër të përpjekjeve për të qenë sa më pranë qytetarëve në nevojë, duke ofruar mundësi alternative për pajisjen me dokumente biometrike.
Sipas njoftimit, shërbimet që do të ofrohen përfshijnë pajisjen me pasaportë biometrike dhe kartë identiteti (ID). Të interesuarit duhet të dërgojnë kërkesën e tyre në adresën elektronike të ambasadës, duke bashkëngjitur dokumentacionin e nevojshëm.
Për të aplikuar, qytetarët duhet të paraqesin një kopje të dokumenteve aktuale identifikuese (pasaportë ose kartë identiteti), adresën e plotë të vendbanimit si dhe një numër telefoni funksional për kontakt.
Autoritetet bëjnë të ditur se organizimi dhe realizimi i këtij shërbimi do të varet nga numri i kërkesave të paraqitura, ndërsa u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që ndodhen në këto kushte, apo familjarëve të tyre, të aplikojnë në kohë për të përfituar nga kjo mundësi.



