Në kantonin e Bernës në Zvicër janë mbajtur zgjedhjet për parlamentin kantonal, i cili përbëhet nga 160 anëtarë të zgjedhur në nëntë zona zgjedhore. Në përbërjen e re parlamentare është zgjedhur edhe Shasime Osmani, një emër i ri në politikën kantonale dhe përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate.
Osmani me këtë fitore bëhet një nga figurat e reja me prejardhje shqiptare që arrin të sigurojë mandat në institucionet legjislative të kantonit të Bernit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e saj politike. Partia Socialdemokrate, së bashku me Partinë Popullore Zvicerane, ka shënuar rritje të përfaqësimit në këtë proces zgjedhor.
Shasime Osmani vjen nga një familje me histori migrimi. Gjyshi i saj u vendos në Zvicër, nga Kërçova në fund të viteve 1970, ndërsa i ati emigroi në vitin 1993. Në vitin 1999, ajo u shpërngul në Zvicër së bashku me nënën e saj, në një periudhë që përkoi me zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Sot ajo përfaqëson një brez të ri të integruar në shoqërinë zvicerane.
Në vitin 2024, Osmani ishte zgjedhur anëtare e asamblesë së qytetit të Bernit, ndërsa aktualisht studion drejtësi në Universitetin e Bernit. Ajo është rritur në lagjen Bümplitz-Bethlehem, një zonë e njohur për përbërjen e saj sociale dhe sfidat në fushën e mundësive të barabarta në arsim.
Në fokusin e saj politik mbeten çështjet e barazisë sociale dhe mundësive të barabarta në arsim dhe integrim. Sipas të dhënave lokale, në lagjen ku është rritur Osmani, vetëm rreth 11 për qind e nxënësve ndjekin gjimnazin, në krahasim me rreth 40 për qind në zona të tjera të qytetit.
Pas fitores, Osmani ka ndarë në rrjetet sociale disa momente personale, duke përfshirë një fotografi me ushqim tradicional flinë dhe një mesazh falënderues për mbështetësit, si dhe një reagim emocional pas shpalljes së rezultateve.
Me këtë mandat të ri, Shasime Osmani pritet të marrë pjesë në punimet e Parlamentit të Kantonit të Bernit si një nga përfaqësueset e reja të brezit të ri politik në Zvicër.



