Nga Soni Memoci
Nga rrënjët historike te përfaqësimi institucional, komuniteti shqiptar në Belgjikë shënon një rrugëtim 70-vjeçar që reflekton transformim, qëndrueshmëri dhe integrim aktiv në jetën publike evropiane.
Në përkujtimin e 70-vjetorit të pranisë shqiptare në Belgjikë, komuniteti shqiptar u mblodh në një aktivitet që tejkaloi dimensionin ceremonial, duke u shndërruar në një reflektim të thelluar mbi natyrën dhe evolucionin e diasporës. Larg një narrative lineare, kjo histori paraqitet si një proces kompleks që ndërthur largimin, përshtatjen dhe ruajtjen e identitetit në një kontekst të ri shoqëror dhe kulturor.
Migrimi, në këtë kuadër, nuk paraqitet thjesht si zhvendosje gjeografike, por si një proces transformues me implikime të thella individuale dhe kolektive. Përvoja e diasporës shqiptare në Belgjikë dëshmon për një ndarje të brendshme që kërkon kohë për t’u artikuluar dhe integruar, ndërsa njëkohësisht krijon forma të reja përkatësie.
Belgjika, si hapësirë pritëse, ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në faza të hershme të historisë moderne shqiptare. Prania e figurave si Ismail Qemali në Avenue Louise dhe aktiviteti diplomatik e intelektual i Faik Konica dëshmojnë për një lidhje historike që paraprin valët bashkëkohore të migrimit.
Aktiviteti përkujtimor, i mbajtur në ambientet e Parlamentit të Brukselit, vuri në pah dimensionin aktual të integrimit. Simbolika e flamurit shqiptar në zemër të institucioneve evropiane nuk u interpretua si akt nostalgjik, por si shprehje e një pranie të konsoliduar dhe aktive në jetën publike.
Me nismën e znj. Kristela Bytyçi, deputete në Parlamentin e Brukselit dhe organizatore e këtij sesioni të veçantë kushtuar 70-vjetorit të emigracionit shqiptar në Belgjikë, patëm mundësinë të reflektojmë mbi rrugëtimin, sakrificat dhe arritjet e bashkatdhetarëve tanë ndër vite.
Në mesin e personaliteteve të shquara, veç fjalës hyrëse të Zonjës Kristela Bytyçi, këtë eveniment e pëshëndetën, kryetari i Parlamentit të Brukselit, ministri i Punëve të Brendshme të Belgjikës, Ambassdorja e Shqipërisë, SH.S.Znj. Albana Dautllari, Ministri Këshilltar i Ambasadës së Kosovës në Bruksel, z. Sami Kastrati, z. Kole Gjeloshaj e deputetë.
Ministri-Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, Sami Kastrati, i shoqëruar nga Konsulli Miftar Kryeziu dhe Sekretari i Dytë Ylli Sokoli, morën pjesë në konferencën kushtuar historisë dhe kontributit të komunitetit shqiptar në Belgjikë.
Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu figura të larta institucionale, ndër ta Ministri i Brendshëm i Mbretërisë së Belgjikës, Bernard Quintin, Presidenti i Parlamentit të Brukselit, Bertin Mampaka, Presidenti i CPAS të Qytetit të Brukselit, David Weytsman, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Belgjikë, Albana Dautllari.
Të pranishmit vlerësuan kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar dhe rolin e tij në forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve tona.
Gjatë fjalës së tij, Ministri-Këshilltar Kastrati theksoi:
“Përderisa shënojmë 70-vjetorin e emigracionit shqiptar në Belgjikë, historia e shqiptarëve të Kosovës dëshmon se si vuajtjet dhe dhimbjet mund të shndërrohen në forcë. Shtatëdhjetë vjet më pas, ajo që nisi si një histori dhimbjeje dhe vuajtjeje është shndërruar në një histori suksesi të përbashkët.”
Ai nënvizoi se sot breza të tërë shqiptarësh jo vetëm kanë rindërtuar jetën e tyre, por edhe po lulëzojnë si profesionistë, sipërmarrës, studentë dhe qytetarë aktivë, duke kontribuar në shoqërinë dhe institucionet belge, si dhe duke shërbyer si urë lidhëse mes dy popujve.
Gjithashtu, ai shprehu mirënjohje të thellë ndaj Belgjikës dhe popullit belg për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës – para, gjatë dhe pas luftës – si dhe për përkrahjen e fortë në rrugën e saj drejt integrimit ndërkombëtar, përfshirë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Gjatë viteve të fundit, miqësia dhe partneriteti ynë janë zgjeruar në shumë fusha dhe jemi të bindur se ato do të vazhdojnë të thellohen dhe të sjellin rezultate domethënëse në vitet që vijnë”, shtoi ai.
Në kuadër të konferencës, Kolë Gjeloshaj-Hysaj realizoi një prezantim të veçantë mbi historinë e emigrimit shqipfolës në Belgjikë, duke evidentuar momentet kyçe dhe zhvillimet kryesore të këtij rrugëtimi ndër vite.
Bytyci përmes angazhimit të saj kontribuoi në artikulimin e këtij momenti si një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Belgjikë.
Po aq i rëndësishëm ishte edhe angazhimi i figurave aktive të komunitetit, përfshirë aktivisten Ledja Canaj dhe shumë individë të tjerë që kontribuojnë çdo ditë në jetën sociale dhe kulturore të diasporës shqiptare në Belgjikë.
Aktiviteti solli në vëmendje rolin, integrimin dhe kontributin e vazhdueshëm të komunitetit shqiptar në jetën shoqërore, ekonomike dhe institucionale të Belgjikës.
Konferenca u shoqërua gjithashtu me një ekspozitë fotografike dhe prezantime që pasqyruan rrëfime autentike dhe përvoja të brezave të parë të emigrantëve shqiptarë në Belgjikë, duke rikujtuar historinë dhe trashëgiminë e tyre ndër dekada.
Në një kohë kur diskursi mbi migrimin shpesh dominohet nga narrativa të polarizuara, përvjetori i 70 viteve të diasporës shqiptare në Belgjikë ofroi një qasje më të matur: një pranim i qetë i rrugëtimit të bërë dhe i një procesi ende në zhvillim.
Në përfundim, ky përvjetor rikujtoi se integrimi nuk është një nocion abstrakt, por një praktikë e përditshme që ndërtohet përmes pjesëmarrjes, punës dhe angazhimit qytetar.
PROFIL – Kristela Bytyci
Deputetja Kristela Bytyci përfaqëson një brez të ri të angazhimit politik dhe qytetar në Belgjikë.
Angazhimi i saj në këtë përvjetor, së bashku me praninë e Ambasadores Albana Dautllari dhe Konsullit Miftar Kryeziu, i dha aktivitetit një dimension të plotë institucional.
“Diaspora shqiptare nuk është vetëm pjesë e shoqërisë belge — ajo është një vlerë aktive që kontribuon në ndërtimin e saj çdo ditë.”






