Në një kohë kur zhvillimet gjeoekonomike dhe tensionet ndërkombëtare po ndikojnë drejtpërdrejt në klimën e biznesit global, sfidat dhe mundësitë për tregjet rajonale marrin një rëndësi të veçantë. Në këtë kontekst, z.Panagiotis Roumis, (Panajot Rumi) President i Shoqatës Greko-Shqiptare të Biznesit dhe drejtues i grupit RUMMING, ndan analizën e tij mbi ndikimin e situatës ndërkombëtare në vendimmarrjen e biznesit, rolin në rritje të Greqisë si destinacion investimesh dhe rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes Greqisë dhe Shqipërisë. Në intervistën për emisionin “Naatemborika” të gazetarit Anesti Doka, ai ndalet te sfidat aktuale, perspektivat e zhvillimit dhe strategjitë që bizneset duhet të ndjekin në një mjedis gjithnjë e më dinamik dhe të paqëndrueshëm.
Mirëmëngjes dhe mirë se erdhët, z. Panagiotis Roumis, President i Shoqatës Greko-Shqiptare. Ju urojmë një vit të mbarë, edhe pse pak me vonesë.
Mirëmëngjes, faleminderit shumë për ftesën. Ju uroj një vit të mbarë.
Sipërmarrësit janë të parët që ndiejnë efektet e zhvillimeve të tilla. Pas Ukrainës, tani një tjetër konflikt pranë rajonit tonë. Çfarë mendon një sipërmarrës në këto momente?
E vërteta është se Greqia dhe sipërmarrësit grekë prej më shumë se një dekade përballen vazhdimisht me vështirësi. Reagimi i parë është: “diçka po ndodh përsëri dhe duhet ta përballojmë”. Por sipërmarrësi, fatkeqësisht apo fatmirësisht, është mësuar të përshtatet dhe të funksionojë brenda kushteve që krijon realiteti gjeopolitik.
Shikojmë investime që ndalen, tregje që frenohen. Çfarë bën një sipërmarrës konkretisht në këto kushte?
Sinjalet e para që marrim janë se investimet në Lindjen e Mesme, në Gjirin Arab, në Izrael dhe Dubai kanë ngadalësuar ndjeshëm. Kjo krijon presion të madh për sipërmarrësit.
Megjithatë, për Greqinë kjo krijon një mundësi të re. Për shkak të pozicionit gjeografik dhe faktit që është pjesë e Bashkimit Europian, mund të shndërrohet në një destinacion të sigurt për investime. Shoh që një pjesë e këtyre investimeve do të ridrejtohen drejt Greqisë.
Një çështje kyçe është energjia dhe nafta.
Rritja e çmimit të naftës është ndoshta skenari më i vështirë. Nëse arrijmë në nivele shumë të larta, siç dëgjojmë, kjo do të sjellë rritje çmimesh, vonesa dhe pasiguri të përgjithshme.
Në këto kushte, është shumë e vështirë të parashikosh zhvillimet. Ndikimi është horizontal në të gjithë ekonominë.
Si po ecën Shoqata Greko-Shqiptare?
Pavarësisht vështirësive, qëllimi ynë është i qartë: të krijojmë një mjedis të sigurt dhe funksional për sipërmarrësit grekë në Shqipëri dhe për ata shqiptarë në Greqi.
Vitin e kaluar organizuam iniciativa që sollën rreth 100 sipërmarrës shqiptarë në Greqi, kryesisht në sektorët e ndërtimit, energjisë dhe logjistikës.
Rezultatet janë konkrete: shohim një rritje rreth 10% të investimeve shqiptare në Greqi. Në të njëjtën kohë, kompani greke po zhvillohen në Shqipëri me projekte të mëdha.
Shqipëria duket në rritje si destinacion investimi dhe turizmi.
Po, sidomos në turizëm ka një zhvillim shumë të fortë. Një nga qëllimet tona është të krijojmë bashkëpunime konkrete mes sipërmarrësve grekë dhe shqiptarë, veçanërisht në sektorin e hospitality dhe ndërtimit.
Greqia dhe Shqipëria nuk janë tregje konkurruese — janë tregje plotësuese.
Cilat janë problemet kryesore që hasin bizneset?
Burokracia ekziston, edhe pse ka përmirësime. Por problemi më i madh sot është mungesa e fuqisë punëtore.
Nga punëtorë të thjeshtë deri te inxhinierë të specializuar, mungesa është reale. Kjo është një sfidë që kërkon ndërhyrje institucionale dhe politika më fleksibile për tërheqjen e punonjësve, edhe nga jashtë.
Çfarë i tërheq sipërmarrësit shqiptarë në Greqi?
Shikojnë një mjedis të njohur, por edhe një hyrje në tregun europian. Shumë kompani e përdorin Greqinë si hapin e parë për zgjerim në Europë.
Ka interes për bashkime apo blerje kompanish?
Po, dhe ne e mbështesim këtë. Bashkimet janë një mjet i rëndësishëm zhvillimi dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Çfarë ju pyesin më shumë sipërmarrësit këtë periudhë?
Ka shumë interes nga sipërmarrës që ishin aktivë në Lindjen e Mesme dhe tani kërkojnë mundësi në Greqi dhe Shqipëri.
Ka shqetësim, por nuk shohim anulime investimesh — më shumë shtyrje dhe pritje.
Cilat sektorë kanë potencial në Shqipëri?
Turizmi dhe hospitality janë sektorët me rritjen më të madhe. Greqia ka përvojë dhe mund të luajë një rol kyç në zhvillimin e tyre në Shqipëri.
A ndikojnë tarifat dhe ndryshimet tregtare?
Ndikimi është i menaxhueshëm. Bizneset po përshtaten. Marrëdhëniet Greqi–Shqipëri mbeten stabile.
Si e shihni një vit me zgjedhje?
Tradicionalisht janë vite të vështira, por këtë herë besoj se mund të ketë edhe zhvillime pozitive. Është një situatë e re dhe duhet të shohim si do të evoluojë.
Faleminderit shumë z. Roumis për kohën dhe përgjigjet. Ju uroj sukses dhe zhvillim në projektet e përbashkëta.
Faleminderit, është kënaqësi. Synojmë të forcojmë sipërmarrësinë dhe bashkëpunimin rajonal./naftemporiki.gr



