Në zonën Surda të komunës Belsito, u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve të Konkursit të IX Ndërkombëtar Letrar për Poetë dhe Prozaikë “Fjalët na vijnë nga e kaluara”, organizuar nga Shoqata Kulturore “RinnoVamenti”, me mbështetjen e Administratës Provinciale të Kozencës, enciklopedisë poetike Wikipoesia dhe Bashkisë së Roglianos.
Edicioni i sivjetshëm i konkursit iu kushtua shkrimtarit të njohur italian Italo Calvino. Gjatë aktivitetit, presidentja e shoqatës, Velia Vello, shprehu kënaqësinë për suksesin e manifestimit, duke theksuar se pjesëmarrja e autorëve nga vende të ndryshme si Greqia, Franca, Gjermania dhe Brazili dëshmon karakterin ndërkombëtar të konkursit.
Në këtë mbrëmje kulturore mbajtën fjalë përshëndetëse prof. Velia Aiello, poete dhe presidente e shoqatës “RinnoVamenti”, dr. Antonio Simarco, aktor dhe regjisor, dr. Francesco Stirparo, shkrimtar dhe kritik letrar, president i Shoqatës “Caraffa”, si dhe prof. Patrizia Marano, anëtare e jurisë. Ndërkohë, ndërhyrjet muzikore u interpretuan nga Rachele Sicilia.
Fituesit e edicionit të nëntë të konkursit ishin: Annamaria Farricelli dhe Emilio De Roma në poezi; Silvia Marini, Maurizio Bacconi dhe Pietro Rizzo në tregimin e shkurtër; Gianni Romaniello për librin poetik; Antonio Esposito për librin e botuar në prozë; Salvatore La Moglie për eseistikë; ndërsa Rosanna De Masi në artet figurative.
Gjatë ceremonisë u ndanë edhe dy çmime të rëndësishme për karrierën, të cilat iu akorduan avokatit Pietro Rizzo dhe gazetarit Gennaro De Cicco.
Një vlerësim për kontributin kulturor
Profesori dhe gazetari Gennaro De Cicco prej vitesh konsiderohet një figurë referimi në jetën kulturore dhe shoqërore të komunitetit të San Demetrios, por edhe më gjerë. Emri i tij lidhet ngushtë me Festivalin e Këngës Arbëreshe, një ngjarje në të cilën ai ka qenë për shumë kohë një nga figurat më të njohura dhe të vlerësuara, duke kontribuar me pasion në promovimin e gjuhës dhe traditave arbëreshe.
Përveç angazhimit në fushën e kulturës, De Cicco ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në sportin amator, duke u dalluar si një nga trajnerët më jetëgjatë të ekipit Sandemetrese.
Këto janë vetëm disa nga arsyet që e shtynë Shoqatën “RinnoVamenti” t’i akordojë atij Çmimin e Karrierës. Studimet dhe shkrimet e tij, të përqendruara kryesisht në realitetin arbëresh dhe në shumëllojshmërinë e tij kulturore, përbëjnë sot një pikë referimi për të gjithë ata që dëshirojnë të njohin më thellë këtë trashëgimi historike.
Pas marrjes së çmimit, De Cicco shprehu mirënjohjen e tij për këtë vlerësim:
“Ka qenë një mbrëmje e jashtëzakonshme, e organizuar në mënyrë të përkryer dhe e pasuruar nga pjesëmarrje shumë domethënëse. Vëmendja që i kushtuat rrugëtimit tim kulturor në shërbim të shoqërisë në përgjithësi dhe komuniteteve arbëreshe në veçanti, u kurorëzua me një vlerësim të gdhendur në një pllakë simbolike dhe shumë të bukur, e cila arrin të përmbledhë thelbin e një jete të tërë përkushtimi kulturor. Nga zemra, një falënderim i madh për të gjithë. Me zëmer një i madhë faleminderit gjithëve.”




