Mbrëmja kushtuar Festës së Mësuesit dhe Gruas do të mblidhte së bashku komunitetin shqiptar të Filadelfias, e organizuar nga shoqata “Bijtë e shqipes”. Që në hyrje, e zbukuruar me shumë finesë nga znj. Erina Hasa, u dhuruan karafila të kuq për çdo grua e vajzë, simbol i respektit dhe mirënjohjes për to. Këto lule u sponsorizuan nga z. Bujar Çela, anëtar i KD.
Aktiviteti u çel me surprizën më të bukur të përgatitur nga nxënësi i shkollës shqipe Christofer Papaciu, i cili do të sillte aq bukur poezinë e Fadil Krajës, kushtuar nënës. Atmosfera do të ndizej që në fillim me ritmin e valles “Baresha”, të interpretuar me shumë hijeshi nga nxënëset dhe ish-nxënëset e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, të përgatitur me shumë profesionalizëm nga znj. Sonja Ponoçi Zebib.
Në hyrje të aktivitetit, pas përshëndetjes dhe urimit të përzemërt të Kryetarit të shoqatës z. Dritan Matraku, znj. Elda Janji do të uronte dhe përshëndeste të gjitha gratë e komunitetit shqiptar në emër të Kryesisë së Shoqatës për këto dy festa. Lule të bukura, të sponsorizuara nga znj. Ida Bushi, iu dhuruan mësueseve të shkollës shqipe për kontributin dhe vlerat që ruajnë në brezin e ri të komunitetit tonë.
Më pas skenën e morën artistët e ditës, këngëtarët Mariza Ikonomi dhe Ilsi Ademi. Dy artistë që treguan jo vetëm talentin e tyre të padiskutueshëm, por pasqyruan edhe mirësi dhe respekt për të gjitha nënat, vajzat dhe gratë.
Spektakël në skenë, spektakël në pistën e vallëzimit. Energji që vinte nga tingujt e këngëve të Vaçe Zelës, Shpat Kasapit, si dhe motive nga Kosova, Çamëria, Jugu, Veriu dhe Shqipëria e Mesme, e gjallëruan mbrëmjen.
Të gjitha trojet shqiptare u përfaqësuan në këtë mbrëmje me këngë nga këta dy artistë plot energji dhe talent, ndërsa të pranishmit vallëzonin pa u lodhur.
Një moment i veçantë ishte vlerësimi që shoqata “Bijtë e shqipes” iu bëri zonjave Irini Lulu, Mimoza Jahaj, Klarita Gjoleka, Arta Laco, Mirela Bani dhe Kaja Llari nëpërmjet Certifikatave të Mirënjohjes për kontributin dhe ndihmesën e dhënë jo vetëm në aktivitetet e shoqatës, por edhe për ndihmesën e vyer për komunitetin shqiptar në Filadelfia.
Nuk munguan edhe dhuratat e sponsorizuara nga znj. Irini Lulu dhe znj. Amelia Bushaka-Gjuzi për mësueset e shkollës shqipe. Muzika dhe vallet shqiptare kanë magjinë e tyre që të mbajnë të tërhequr pas vetes. Edhe pse orari i caktuar kishte kaluar, askush nuk dëshironte të largohej.
Gëzuar Festën e Dijes dhe Ditën e Gruas!
Me dijen e mësuesit dhe forcën e dashurisë së gruas vazhdon ardhmëria jonë e patjetërsueshme dhe unike.
Nga Rudina Bani
Mësuese e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”
Foto nga Armir Koka








