Nga Etmond Guri
Pata nderin të jem i ftuar si ekspert i çështjeve të migracionit nga Shoqata “Emigranti” në Patra, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të saj. Ftesën e pranova me përulësi dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, duke qenë se komuniteti i emigrantëve ka nevojë për informim të saktë dhe analizë të thelluar të paanshme në një periudhë ndryshimesh të thella ligjore. Për këtë mundësi falenderoj përzemërisht Prof, Iliaz Bobaj dhe kryetaren e nderuar të shoqatës “Emigranti” Patra, znj. Kristiana Veliu.
Në referimin tim bëra një retrospektivë të zhvillimeve ligjore nga viti 2014 deri sot, një periudhë që ka transformuar rrënjësisht kuadrin ligjor të migracionit në Greqi.
Pas shpalljes nga Gjykata e Lartë e Greqisë të ligjit 3838/2010, i njohur ligjërisht si “Ligji Ragusi”, si ligj antikushtetues nga qeveria Samra, fillimi u shënua me miratimin e Kodit të Emigracionit, Ligji 4251/2014, i cili vendosi bazën e sistemit modern administrativ dhe humanitar të lejeve të qëndrimit. Një vit më vonë erdhi Ligji 4332/2015, që reformoi Kodin e Nënshtetësisë, duke hapur rrugë të reja për integrimin e brezit të dytë. Deri në ato vite gjithçka ishte një “hamulli” ligjore e çrregullt dhe tepër e paqartë.
Për shkak të trysnisë së madhe nga Bashkimi Europian për harmonoizimin e politikave migratore dhe aq më tepër nga dyndjet e mëdha te refugjatëve, për shkak të luftës në Siri etj, vetëm në periudhën 2014 – 2016 në Greqia hynë më shumë se 2 milionë refugjatë/emigrantë të cilët më pas kaluan në Europë.
Vitet që pasuan u karakterizuan nga ndërhyrje të njëpasnjëshme ligjore, ndër të cilat u miratuan: Ligji 4375/2016, Ligji 4540/2018, Ligji 4636/2019, Ligji 4825/2021, Ligji 4960/2022 etj.
Këto ligje ndikuan ndjeshëm në kompletimin ligjor (pasi mungonte një kuadër ligjir specifik) të procedurave të azilit, në mekanizmat e kontrollit dhe në mënyrën e trajtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare si dhe periudha post pandemi. Kjo solli një “revolucion” apo thënë thjeshtë një ndryshim drastik, kalimi nga procsi i dosjeve fizike/manuale në epokën digjitale: pra, dixhitalizimin e të gjithë procesit.
Por, pavarësisht të gjitha këtyre ligjeve të njëpasnjëshme, ende kishte dobësi.
Dhe pikërisht në këtë moment erdhi një kod tjetër, një filozofi e re rreth emirgacionit.
Me miratimin e Ligjit 5038/2023, Greqia prezantoi një Kod të ri për migracionin ekonomik, me synim modernizimin e procedurave dhe riorganizimin e sistemit të lejeve të punës dhe qëndrimit për shtetasit e vendeve të treta.
Megjithatë, periudha pas vitit 2023 shënoi një ndryshim më të thellë filozofik rreth politikave të migraciont në Greqi, kjo e ndikuar thellësisht edhe nga Pakti i ri Europian për Migracionin dhe Azilin. Kështu dyvjeçari 2025–2026 ishte kalimi drejt ashpërsimit të ligjeve dhe masave ndëshkuese, nga shkelje administrative në penale.
Konkretisht me ligjin 5226/2025 dhe më pas Ligji 5275/2026, kuadri ligjor kaloi nga një model kryesisht administrativ në një model më të ashpër penal.
Ndryshimet kryesore përfshijnë:
– masa më të rrepta dhe penalizime më të forta për qëndrimin e parregullt,
– kufizime dhe refuzime më të shpeshta në rinovimin e lejeve të qëndrimit,
– procedura më të shpejta deportimi,
– sanksionimin ligjor të terminologjisë “emigrant i paligjshëm” në vend të “emigrant i parregullt” etj, etj.
Vetëm në periudhën 2023 – fillim 2026 janë miratuar më shumë se katër ligje që kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore të gjithë procesin e ligjërimit dhe të qëndrimit në Greqi të shtetasve nga vendet e treta, duke kaluar nga një qasje kryesisht administrative në një model më të ashpër dhe me elementë penalë.
Kjo për emigrantët do të thotë rritje e pasigurisë juridike, procedura më të ndërlikuara dhe rrezik më i madh për refuzim apo humbje të statusit ligjor.
Por lind një pyetje thelbësore: sa i shërben kjo qasje Greqisë dhe ekonomisë së saj, në një kohë kur tregu i punës ka nevojë për të paktën 210 mijë krahë pune, veçanërisht në sektorë kyç si bujqësia, turizmi, ndërtimi dhe shërbimet?
Sfida reale nuk është thjesht kontrolli, por gjetja e ekuilibrit midis sigurisë, nevojave ekonomike dhe integrimit funksional të fuqisë punëtore.
Konkluzioni është i qartë: nga viti 2014 deri në 2018 sistemi kishte karakter më administrativ dhe relativisht më humanitar, nga 2019 deri në 2023 u theksua shtrëngimi i procedurave të azilit, ndërsa pas vitit 2025 vërehet një orientim i dukshëm drejt kriminalizimit dhe ashpërsimit penal.
Nevoja për informim dhe debat të hapur
Diskutimi me anëtarët e Shoqatës “Emigranti” ishte i gjallë dhe konstruktiv, duke reflektuar shqetësimet reale të komunitetit. Në një klimë ligjore që ndryshon vazhdimisht, informimi korrekt dhe analiza e paanshme mbeten thelbësore për mbrojtjen e të drejtave dhe për ruajtjen e stabilitetit social. Evolucioni i legjislacionit 2014–2026 nuk është thjesht një seri ndryshimesh teknike. Ai përfaqëson një transformim të thellë të filozofisë së shtetit ndaj migracionit, një transformim që prek drejtpërdrejt mijëra familje dhe jetën e tyre.