Nga Alvin Ekmekciu Mielli
Gati 30 vitet e para, telefonatat nga atdheu ishin të rralla.
Erdhi një kohë dhe nisa të marrë telefonata nga njëri prej xhajave.
Më pyeste se si isha me shëndet.
E pyesja të njëjtën gjë.
Më thoshte se ishte mirë.
Vazhdoi të më telefonte gjithnjë e më rregullisht – çdo 3-4 javë.
Më thoshte se më telefononte ndonëse nuk ishte rradha e tij, sepse unë nuk kujtohesha ta thërrisja.
Nuk kishim shumë për të biseduar.
Më pyeste se si isha me shëndet. Po gruaja dhe fëmijët?
E pyesja edhe unë, për shëndetin.
Më thoshte se kishte pak kollë.
E pyesja se si ishte moti andej në atdhe. Këndej bën ftohtë.
Pastaj heshtje. Fjalët mbaronin.
Javët në vazhdim, më tha se se çfarë kishte diçka në mushkëri dhe po e kontrollonin. Por asgjë serioze.
Hë, se ske gjë! – i thoja.
Në telefonatat e mëpasme më tha se dyshonin për tumor por asgjë serioze.
Më pyeste se kur do të shkoja në Shqipëri.
I thoja se nuk kisha plane.
Dikur më tha se kishte filluar me kimioterapi sa për të hequr merakun, por nuk ishte gjë serioze.
I thoja se ai kishte fizik të fortë, dhe nuk do mund ta gjente gjë.
Ma pohonte.
Më pyeste nëse kisha ndërmend të shkoja në Shqipëri.
Nuk e kisha në plan. Kisha plane të tjera.
Dikur telefonatat u shuan.
E pyeta të birin.
Më tha se kimioterapia nuk kishte funksionuar.
Xhaja nuk ndjehej mirë.
Ishte fundvjeshte kur pa plan, lashë punën, mora aeroplanin dhe shkova për ta vizituar.
Xhaja ime Sajmiri lëngonte në shtratin e vdekjes.
Më kishte telefonuar për sa kohë kishte pasur fuqi dhe ishte shtirur se ishte mirë. Kishte pasur nevojë të kalonte sa më shumë kohë me njerëzit e dashur përpara se të na linte.
Ishte hera e fundit që e pashë, pas shumë vjetësh.
I lamë lamtumirën njëri-tjetrit.
Ai vdiq në dimër në moshën 70 vjeçare.
Numrin e tij e mbaj akoma të ruajtur në telefon.
Pas vdekjes së tij mendova se telefonata nuk do të më vinin më nga Shqipëria.
Isha gabuar.
Filluan të më vinë telefonata të tjera. Nga xhaja e fundit që ishte gjallë. Tre vëllezër i kishin vdekur.
Ndjehesha pak i bezdisur. Aq më tepër kur nuk kisha se çfarë të bisedoja.
Donte të dinte se si jam me shëndet. Po familja?
Vetë më thoshte se ishte mirë. Kishte pak kollë.
E pyesja për motin. Këndej bën ftohtë.
Telefonatat prej tij u shtuan. U bënë dy herë në javë.
Herë zilja binte ndonjëherë në çaste të papërshtatshme, i zënë me punë dhe nuk e kapja telefonin. Por ai nuk mërzitej. Telefononte përsëri më vonë. Derisa të përgjigjesha unë.
Më pyeste se si isha me shëndet. Të njëjtën gjë e pyesja dhe unë. Kolla i kishte kaluar me çaj të nxehtë.
Herë kishte qenë sëmurë por ndjehej më mirë.
Dalëngadalë filluam të gjejmë gjuhën e përbashkët. Të gjenim gjëra për të folur.
Kemi përjetuar të dy së bashku vitet ’70-të dhe ’80-të nën komunizëm, kur gjyshi dhe gjyshja ime, prindërit e tij, ishin gjallë.
Ai poashtu si vëllezërit e tij dhe gjyshërit e mi kujdeseshin për mua kur isha i vogël, që të mos më ndodhte gjë dhe që të rritesha me sa më pak telashe.
Kemi kaluar së bashku kohë të vështira por edhe të bukura.
Përmendnim njerëzit që nuk janë më, ngjarje nga e shkuara, halle e qyfyre.
Më thoshte se e kishte marrë malli. Se donte të më përqafonte. Më pyeste se mos kisha gjë plan të shkoja në verë.
Nisa të shkoja më shpesh në Shqipëri. Xhaja ime donte të takoheshim për ditë.
Xhaja im Agimi ka mbushur tashmë 80 vjeç.
Vazhdon të më telefonojë dy herë në javë dhe mezi pret verën që të takohemi.
Nuk e di se edhe sa vera na kanë mbetur.
Ndoshta disa, ndoshta asnjë.
Javës time vazhdojnë t’i japin larmi telefonatat … nga xhaja ime e fundit.