Ndonëse shpesh flasim për traditat, kulturën dhe historinë si fije të përbashkëta që lidhin identitetet, ekziston një element që bashkon njerëzit edhe më fuqishëm: shija. Shija e ushqimeve të fëmijërisë, e pjatave të dasmave tradicionale, e ushqimeve që kanë shoqëruar momente të bukura dhe të trishtuara – për shumë njerëz që jetojnë në atdhe të huaj, kjo shije mbetet një element i pazëvendësueshëm, sepse për të ringjallur kujtimet nevojiten produkte autoktone. Në një udhëtim imagjinar, letrat e autorëve mund të udhëtojnë përmes këtyre shijesh, duke rikrijuar përvojat më të veçanta të kulturës së tyre. Kështu lind ideja origjinale e aktivitetit tonë në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.
Të shtunën, më 28 shkurt, në orën 17:00, u zhvillua aktiviteti kulturor “Assaggi Multiculturali: Letture in Lingua a Tema Gastronomico”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Nisma e FAI – Fondo per l’Ambiente Italiano prezantoi një cikël leximesh poetike në gjuhë të ndryshme, me temë të përbashkët: gastronomia si element i identitetit kulturor.
Në aktivitet mori pjesë edhe Anila Berberi, përfaqësuese e shkollës shqipe dhe e Shoqatës “Scanderbeg”. Ajo lexoi pjesë nga poema“Devoll, Devoll: Baballarët” të Dritëro Agollit, vepër e botuar në vitin 1976, që trajton lidhjen me vendlindjen dhe rolin e brezave në ndërtimin e identitetit kolektiv.
Ndaj kam qejf të shtrembëroj turinjtë,
Nga raki e fortë në filxhan,
Vallen ta bëj tym me devollinjtë
Të më zërë koka në tavan!
Të ulem e të marr një spec të fortë,
Spec që sytë lot të kuq të nxjerrin,
Ku mezeja sofrën mbush në odë,
Ku te dera dashi pret ta therin!
Ndaj i dua dasmat dhe haretë,
Ku bie erë mollë dhe lakror,
Ku nga vallet vashat gjinjtë ngrenë,
Ku nga këmbët pluhur del në oborr!
Në program u përfshinë tekste në shqip, arabisht, katalanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, spanjisht, tagalog dhe ukrainisht. Poezitë e përzgjedhura trajtonin motive si buka, vera, kafeja dhe marrëdhënia me tokën, duke ofruar një panoramë të pasur dhe të larmishme të përvojave dhe traditave të komuniteteve pjesëmarrëse. Mbrëmja përfundoi me leximin e poezisë “Sapori di casa”.










