Nga Yllka Lezo
Qendra e Botimeve për Diasporën do të shndërrohet në institucion reference për ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Gjuhën Shqipe në Diasporë, me synim standardizimin dhe certifikimin zyrtar të shqipes si gjuhë e dytë. Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë dhe QBD, kushtuar ruajtjes, zhvillimit dhe trashëgimisë së gjuhës shqipe në diasporë.
Drejtoresha e QBD Mimoza Hysa prezantoi punën 7-vjeçare të institucionit, e fokusuar në sigurimin e teksteve mësimore për shqiptarët jashtë vendit. Puna është ndërtuar mbi tre shtylla kryesore: hartimin dhe shpërndarjen e materialeve didaktike, mbështetjen e nxënësve dhe studentëve, si dhe trajnimin e mësuesve. Një nga projektet kryesore ka qenë teksti i përbashkët me Kosovën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, i shoqëruar me platformë digjitale, si dhe krijimi i hartës së digjitalizuar të shkollave shqipe në diasporë.
Sipas të dhënave të QBD, aktualisht funksionojnë 326 shkolla shqipe në diasporë, me rreth 850 mësues aktivë dhe 25–30 mijë nxënës. Ndërkohë, potenciali i fëmijëve shqiptarë jashtë vendit është shumë më i lartë, çka e bën të domosdoshëm kalimin në një fazë të re organizimi dhe vlerësimi të mësimdhënies.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha u ndal në nevojën e ndërtimit të një strategjie të re qasjeje shtetërore ndaj gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, duke përcaktuar qartë piketat e bashkëpunimit edhe me institucionet universitare shqiptare.
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Mark Marku e vuri theksin në rolin e Fakultetit dhe të departamentit të Gjuhës Shqipe në ndërtimin e politikave për gjuhën shqipe.
Ishte ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro e cila gjatë aktivitetit shpjegoi se si do të realizohet certifikimi i gjuhës shqipe, instrumentat dhe kuadrin ligjor:
“Pse është kaq e rëndësishme që ne tani të kalojmë në një tjetër fazë? Nga shpërndarja e teksteve dhe mbajtja gjallë e gjuhës shqipe në diasporë, tek fakti që shqipja tashmë nuk është vetëm gjuhë e Shqipërisë, por është gjuhë zyrtare edhe në pesë shtete: Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, por edhe gjuhë e mbrojtur me një status tjetër në Slloveni dhe në Kroaci.
Sipas të dhënave të Qendrës së Botimeve për Diasporën janë të regjistruara rreth 326 shkolla ku mësohet shqip, rreth 850 mësues të gjuhës shqipe aktive në këto shkolla, rreth 25–30 mijë nxënës që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në këto shkolla. Dhe nëse ne nuk kalojmë në këtë fazë të re që duam të prezantojmë sot, ky numër do të rrudhet për shkaqe natyrore.
Në diasporën tonë sot potenciali i fëmijëve nga mosha 5 deri në 14 vjeç është rreth 270 mijë nxënës dhe nga mosha 5 deri në 19 vjeç shkon në 424 mijë nxënës. Është një potencial ende i pashfrytëzuar, sepse ata sigurisht ndjekin jetën e tyre në vendet ku janë. Në këtë kuptim, shqipja nuk mund të jetë më gjuha që mësohet vetëm në familje, në shtëpi me gjyshërit apo në komunitet për kënaqësi kulturore.
Prandaj kjo fazë e dytë, nga pikëpamja e qeverisjes që ne duam të ndërtojmë, kupton që gjuha shqipe në diasporë, por jo vetëm, të trajtohet tashmë si një kompetencë arsimore që zhvillohet përmes programeve të strukturuara, vlerësohet mbi bazë kriteresh të qarta dhe të krahasueshme me të njëjtat standarde si gjuhë të tjera dhe të ketë mekanizma zyrtarë të përshtatshëm, të certifikuar ndërkombëtarisht, për ta bërë këtë gjuhë edhe të matshme edhe të certifikueshme.
Nëse ne jemi afruar momentit politik dhe ligjor të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, organizata e cila është e vetmja në botë që gjuhën e çdo shteti anëtar e ka gjuhë zyrtare është Bashkimi Europian, që ka sot 27 gjuhë zyrtare. Kjo do të thotë që të gjitha dokumentet përkthehen në të njëjtën kohë në 27 gjuhët e vendeve anëtare dhe ditën që Shqipëria bëhet anëtare, do të jetë një tjetër gjuhë zyrtare e kësaj organizate.
Qendra e Botimeve për Diasporën e ka ndërmarrë tashmë këtë iniciativë, së bashku me Ministrinë e Arsimit, për të kaluar nga botimet dhe shpërndarja e teksteve dhe trajnimet e mësuesve, tek procesi i koordinimit të standardizimit të mësimdhënies. Qendra e Botimeve për Diasporën parashikohet të jetë institucioni referencë për ngritjen e asaj që ne në projektin që po hartojmë do të jetë Agjencia Kombëtare për Gjuhën Shqipe në Diasporë, për gjuhën shqipe si gjuhë e dytë.
Kemi bërë gati kalendarin e punës dhe kemi nisur me rishikimin e kornizës ligjore, të cilën duam ta mbyllim brenda vitit 2026, në bashkëpunim edhe me ASKAP-in, që është agjencia e kurrikulave. Hartimin e kornizës së kompetencës së gjuhës shqipe nga niveli A1 deri në nivelin më të lartë C2, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për periudhën 2026–2027. Të gjitha këto përgatitje do të duam t’i përkthejmë në një platformë digjitale që duhet të jetë gati deri në fund të këtij mandati qeverisës në vitin 2029.
Le të themi që hapim së bashku një kantier pune ligjor, një kantier pune përgatitor dhe një kantier pune digjital. Shqipja sot ka kohën që të jetë e gatshme në momentin e integrimit europian, por edhe shumë më gjerë, sepse gjithçka është globale, me të gjitha instrumentet e saj akademikë, pedagogjikë, ligjorë dhe digjitalë. Për të mbërritur në njohjen zyrtare të shqipes brenda kësaj kornize deri në fund të vitit 2029.”



