Komisioni Evropian ka propozuar formalisht nisjen e negociatave për heqjen e shpenzimeve të roamingut mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas propozimit, bisedimet do të zhvillohen veçmas me Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Pas përfundimit të marrëveshjeve përkatëse, qytetarët e këtyre vendeve do të mund të përdorin telefonat e tyre në vendet e BE-së pa kosto shtesë, sipas parimit “roam like at home” (roaming sikur në shtëpi). Aktualisht, vendet anëtare të BE-së e kanë hequr prej kohësh roamingun mes tyre, ndërsa edhe vendet e rajonit kanë reduktuar apo eliminuar tarifat ndërmjet njëra-tjetrës.
Për të nisur negociatat, Komisioni duhet të marrë mandatin nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Sipas zëdhënëses së Komisionit, Paula Pinho, kjo nismë synon integrimin e mëtejshëm të rajonit në tregun e përbashkët evropian, në përputhje me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar në vitin 2023.
Zëvendëspresidentja e Komisionit për teknologji, Henna Virkkunen, e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së rajonit në “familjen e roamingut” të BE-së, duke theksuar përfitimet për qytetarët dhe bizneset.
Edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, nënvizoi se tarifat e roamingut janë barrë për qytetarët e rajonit, sidomos për ata që kalojnë shpesh kufijtë për punë apo arsye familjare. Sipas saj, zgjerimi i sistemit “roam like at home” do të sjellë komunikim më të lehtë dhe përdorim interneti me tarifa të njëjta si në vendin e origjinës.
Nga kjo masë pritet të përfitojnë jo vetëm qytetarët e Ballkanit Perëndimor gjatë udhëtimeve në BE, por edhe miliona turistë evropianë që vizitojnë rajonin. Në Komisionin Evropian theksojnë se disa kompani telefonie janë shprehur të gatshme të ulin tarifat vullnetarisht, ndonëse mund të ketë edhe operatorë që kundërshtojnë heqjen e plotë të roamingut për shkak të interesave financiare.



