Pas nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Bashkisë së Korçës dhe Bashkisë së Chambéry në Francë, Muzeu i Arteve të Bukura të Chambéry do të presë këtë verë një ekspozitë të veçantë me ikonat shqiptare nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar të Korçës (MKAM).
Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti, tregoi për ATSH-në se ekspozita e përkohshme, me titull “Ikonat e Shqipërisë, thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, do të mbahet nga 12 qershori deri më 15 nëntor 2026 dhe do të prezantojë rreth 45 ikona të përzgjedhura nga koleksioni i pasur i MKAM.
Ekspozita synon të ofrojë një panoramë kronologjike të zhvillimit të pikturës ikonografike në rajonin ortodoks të Korçës dhe më gjerë, nga shekulli XIV deri në fillim të shekullit XX, duke prezantuar traditën bizantine dhe postbizantine, si dhe evolucionin e stilit dhe ikonografisë.
Vizitorët francezë do të kenë mundësinë të shohin veprat më të hershme, të zbuluara në kishat shkëmbore të Prespës dhe të datuara në shekullin XIV, që tregojnë estetikën e periudhës paleologe me harmoni ngjyrash dhe linja të fuqishme. Ikonat e shekujve XVI–XVIII do të ilustrojnë diversitetin e tendencave postbizantine në Shqipëri, duke kombinuar respektin për kanonet tradicionale me inovacionet formale, me vepra nga qytete të ndryshme si Korça, Kolonja, Berati, Pogradeci dhe Gjirokastra.
Fjoralba Prifti theksoi se një vend të veçantë në ekspozitë do t’i kushtohet mjeshtërve të njohur shqiptarë, përfshirë Onufrin, koleksioni i të cilit konsiderohet më i rëndësishmi i MKAM, si dhe artistë të shquar si Konstantin i Vithkuqit, Konstantin Hieromonaku, Konstantin i Shpatit dhe punishtja e vëllezërve Zografi.
Sipas drejtoreshës, ekspozita do t’i japë publikut francez mundësinë të zbulojë një trashëgimi artistike ende pak e njohur në Francë dhe më gjerë në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar cilësinë e jashtëzakonshme të këtyre veprave që i kanë shpëtuar shkatërrimeve gjatë periudhës së ateizmit institucional në shekullin XX.
Ekspozita gjithashtu do të ilustrojë ndërveprimet artistike midis ikonave ortodokse shqiptare dhe artit fetar mesjetar e rilindës italian, duke mundësuar krahasime me mjeshtrit italianë si Bartolo di Fredi, Grifo di Tancredi, Domenico di Michelino dhe Bernardino Fungai, duke ofruar një qasje të re për publikun ndaj ndikimeve bizantine në artin evropian.






