Ambasada Gjermane në Tiranë ka njoftuar se Gjermania do të mbështesë rreth 400 familje të prekura nga përmbytjet e fundit në Shqipëri, përmes një pakete ndihme emergjente në vlerën e 250 mijë paundëve.
Në një njoftim zyrtar, ambasada bën me dije se fondet do të vihen në dispozicion përmes Fondit Start, i mbështetur nga Gjermania, dhe do të zbatohen nga organizata joqeveritare World Vision UK. Ndihma synon të mbështesë rreth 1,800 persona në zonat më të prekura të vendit.
Sipas njoftimit, rajonet përfituese përfshijnë Durrësin dhe zonat përreth, si Sukthi, Katundi i Ri, Këneta, Rrashbulli, Porto Romano, si dhe lagje të tjera si Shkozeti dhe Nishtulla.
Masat e parashikuara përfshijnë ndihma sanitare dhe higjienike, strehim emergjent, artikuj jo-ushqimorë, masa mbrojtëse – përfshirë mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore – si edhe mbështetje për sigurinë ushqimore dhe përmbushjen e nevojave jetike të familjeve të prekura.
“Pas përmbytjeve të rënda të javëve të fundit, Fondi Start vë në dispozicion në mënyrë të menjëhershme 250.000 paund për të ndihmuar familjet në rajonet më të goditura të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Tiranë.
Përveç ndihmës emergjente, ambasada thekson se Gjermania po kontribuon edhe në përmirësimin e kapaciteteve afatgjata për përballimin e fatkeqësive natyrore, përmes mbështetjes për zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm. Këto masa po realizohen në kuadër të projektit ALBAdapt të GIZ, me synimin që ngjarjet ekstreme të motit të parashikohen më mirë në të ardhmen dhe qytetarët të kenë mundësi të marrin masa parandaluese.



