Në Capitol Hill, në Washington, çështja e të drejtave të shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës u rikthye në qendër të vëmendjes institucionale amerikane, pas miratimit në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-së të rezolutës H.R. 6411.
Rezoluta, e iniciuar nga kongresmeni Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën, trajton çështjet që lidhen me të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në jug të Serbisë. Dokumenti u miratua gjatë procesit të shqyrtimit (“markup”) në Komitet, me mbështetje dypartiake nga kryetari i Komitetit, Brian Mast, dhe nënkryetari Gregory Meeks. Pas këtij hapi, rezoluta pritet t’i kalojë për miratim seancës plenare të Kongresit Amerikan.
Sipas nismëtarëve dhe mbështetësve të saj, rezoluta synon të adresojë diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë çështje si pasivizimi i adresave, kufizimi i të drejtës së votës, mungesa e përfaqësimit në institucionet shtetërore, si dhe pengesat në përdorimin e gjuhës shqipe, arsim dhe zhvillim ekonomik.
Ky zhvillim konsiderohet rezultat i një angazhimi të gjatë dhe të vazhdueshëm të lobimit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Përpjekjet datojnë prej fillimit të viteve 2000, nën drejtimin e Joe dhe Shirley DioGuardi përmes Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe janë intensifikuar vitet e fundit nga organizata “Albanians for America”, veçanërisht përmes angazhimit të komunitetit shqiptar në shtetin e Teksasit.
Miratimi i rezolutës në Komitet shihet si një sinjal politik i qartë ndaj autoriteteve në Beograd, se Shtetet e Bashkuara po ndjekin me vëmendje trajtimin e pakicës shqiptare në jug të Serbisë dhe janë të gatshme të kërkojnë përgjegjësi politike dhe institucionale për shkeljet e të drejtave të njeriut.
Ngjarja merr një domethënie të veçantë edhe në kontekst simbolik, pasi përkon me përvjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili e kishte ndërtuar filozofinë e tij politike mbi orientimin euroatlantik dhe aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për komunitetin shqiptar, miratimi i kësaj rezolute përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së Luginës së Preshevës dhe forcimit të përpjekjeve për barazi, dinjitet dhe respektim të të drejtave themelore, në përputhje me standardet ndërkombëtare.



