Më 17 janar 2026, qyteti Langenthal në Zvicër do të jetë një pikëtakim i rëndësishëm i kulturës shqiptare në diasporë, përmes një mbrëmjeje të veçantë që ndërthur letërsinë, artin dhe kujtesën historike. Në qendër të kësaj ngjarjeje kulturore do të jetë promovimi i librit më të ri “Udhëtim drejt rrënjëve”, nga Dashnim Hebibi dhe Florim Usein si dhe një program solemn artistik me pjesëmarrjen e Ansamblit të njohur “Trojet”, i cili do ta nderojë mbrëmjen me një repertor të përzgjedhur enkas për këtë rast.
Ngjarja merr një dimension të veçantë simbolik me praninë e Darling Vlora, pasardhës i Ismail Qemal Bej Vlorës, figurë emblematike e historisë shqiptare. Pjesëmarrja e tij do ti japë mbrëmjes një peshë të veçantë historike dhe emocionale, duke e lidhur trashëgiminë kombëtare me brezat e sotëm të diasporës.
Për HelveticALforum.ch presidenti i Ansamblit “Trojet”, z. Zeqë Gashi tha se, ansambli do të paraqitet me një program artistik të kuruar me kujdes, në përputhje me karakterin solemn të mbrëmjes, me synim nderimin e organizatorëve, mysafirëve dhe në veçanti të familjes Vlora. Programi përfundimtar artistik pritet të bëhet i ditur një ditë para ngjarjes, pasi artistët janë në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së pikave nga repertori i tyre i pasur dhe përfaqësues.
Përveç promovimit të librit “Udhëtim drejt rrënjëve”, mbrëmja do të sjellë edhe risi të tjera kulturore. Për herë të parë do të ndahet Ikona e Diasporës, ndërsa publikut do t’i prezantohet edhe një libër i dytë voluminoz, me rreth 600 faqe, i realizuar me standarde të larta profesionale, përmbajtja e të cilit do të mbetet surprizë deri në natën e 17 janarit. Ky kombinim i promovimit kulturor, solemnitetit dhe elementit të befasisë e bën ngjarjen një moment të veçantë për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë.
Mbrëmja do të nisë në orën 19:00 ndërsa programi zyrtar do të fillojë në orën 19:30. Qëllimi i organizatorëve është të krijojnë një hapësirë bashkimi për personalitete të jetës kulturore, publike e shoqërore, miq të librit dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në diasporë.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë figura të njohura të jetës kulturore, mes tyre publicisti Arsim Mulliqaj, autorët Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, si dhe artistë e personalitete të tjera nga fusha e kulturës dhe jetës publike.

Ky libër është një reportazh udhëtimi i zgjeruar, i cili tashmë vjen edhe në formë libri, pasi fillimisht ishte botuar në episodet e tij. Autorët, Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, ndërmarrin një udhëtim të veçantë nëpër hapësirat shqiptare, duke lidhur diasporën shqiptare me vendlindjen.
Udhëtimi përshkruhet si një rrugëtim alternativ, jo turistik në kuptimin klasik, por një eksplorim i thellë i kujtesës, identitetit, historisë dhe përkatësisë shqiptare. Autorët ndalojnë në qytete, fshatra dhe vende simbolike, duke treguar histori njerëzish, monumentesh, kujtimesh dhe përjetimesh personale.
Libri përshkruan rrugën si një udhëtim mes rrënjëve dhe realitetit bashkëkohor, ku përfshihen reflektime personale, përvoja nga terreni, biseda me njerëz lokalë dhe ndalesa në vende me peshë historike e emocionale.
Theksohet se ky udhëtim nuk është vetëm fizik, por edhe shpirtëror dhe kulturor, një përpjekje për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh shqiptar sot, mes migrimit, diasporës dhe kujtesës kolektive.
Libri vlerësohet si një rrëfim autentik, me stil të qartë dhe reflektues, që i jep lexuesit një pasqyrë të sinqertë mbi udhëtimin, identitetin dhe rrënjët shqiptare.

Adresa:
Alte Mühle
Mühleweg 23
4900 Langenthal, Zvicër. /HelveticALforum.ch



