Nga Petrit R. Aliaj
Prej kohësh Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare FNAI në Itali, bashkëpunon për nisma dhe veprimtari të ndryshme, me shoqatat që aderojnë në të, duke i kushtuar një kujdes të veçantë edhe zgjerimit të saj. Për këtë qëllim, më herët Këshilli i Drejtues i Federatës, u ka bërë thirrje zyrtare dhe publike për bashkëpunim shoqatave që janë aktive në territorin italian.
Fjala bashkëpunim, duhet të konsiderohet si pjesëmarrje e direkte e tyre në Asambletë Zgjedhore të Federatës, duke qënë pjesë e saj, me të drejta të plota për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, duke ruajtur pavarësinë e tyre, me gjithçka që është e ligjëruar në statutin e sektorit të tretë (Codice del Terzo Settore).
Në bazë të të dhënave nga arkivi i Federatës,edhe gjatë viteve 2024 dhe 2025 u janë dërguar ftesa bashkëpunimi përafërsisht 30 shoqatave të vlerësuara si aktive nga Federata dhe konkretisht 4 prej tyre, kanë ditur të zgjedhin rrugën e duhur të bashkëpunimit. Nga hulumtimet e bëra në vazhdimësi nga veprimtarë të Federatës në portalet e komunave e të provincave për evidentimin e emigrantëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia Veriore, kanë rezultuar mbi 130 shoqata të krijuara që me dyndjen e emigrantëve nga ish – Federata Jugosllave në vitet ’80 dhe më pas nga Shqipëria në vitet ’90.
Nga këta të dhëna vërehet se disa shoqatave u ka mbetur vetëm emri në regjistrat e komunave. Një pjesë janë pa asnjë aktivitet, disa të tjera kanë mbetur me kryetarë të pazëvëndësueshëm prej vitesh dhe një pjesë funksionojnë mbi bazën e fisit, të krahinës , familjes por edhe me emra të qyteteve apo të katundeve të tyre të origjinës e në veçanti të mbyllur.
Në lëmin e shoqatave që u ka mbetur vetëm emri, kryetarët e tyre të vetëshpallur janë kthyer në trampolina për takimet dhe vizitat e qeveritarëve të partisë që u shërbejnë në vendet e tyre të origjinës, marrin pjesë në forume dhe kandidojnë në këshillat komunale e ato rajonale në itali, i demostrojnë takimet e tyre me funksionarë të lartë e parlamentarë dhe kësisoj kthehen në sekserë të votave në kohë fushatash zgjedhore për të dyja palët .
Këta mbeten kategoria e më të priviligjuarve, pasi merren edhe me aktivitete ekonomike si biznesemenë që kanë investuar në sektorë të ndryshëm përfitues në vendet e tyre të origjinës, por edhe në Itali.
Pjesëmarrja e tyre në disa shoqata,bie hapur interesi, përcaktuar në Kodin Civil Penal (2373 c.c. it.) dhe të Codit të sektorit të tretë për shoqatat vullnetare (Art.27,D,Lgs 117/2017.it. ). Kjo gjë çuditërisht shpërfillet edhe nga ata intelektualë profesionistë, pjesë e këshillave drejtuese të cilët duhet të jenë rojet e zbatimit të statuteve që shoqatat të mos kthehen në ingranazhe të partive politike, duke humbur kësisoj efektivitetin e tyre .
Përvoja se çfarë arrihet të përftohet në të vërtetë nga bashkëpunimi i shoqatave të Federatës përmes takimeve fizike dhe online që organizohen nga Këshilli Drejtues nuk mungon .
Shumë prej këtyre takimeve realizohen të hapura për shoqatat aderuese,me aktivistë të jashtëm si edhe me disa shoqata në Europë, që shfaqin interes me pozitivitetin që ato paraqesin për të vlerësuar e përftuar e këmbyer përmes këtyre takimeve eksperiencë,njohje dhe shfrytëzim të burimeve që gjenden mes nesh.
Theksoj se në veçorinë e këtyre takimeve, arrihet të portretizohet edhe individi në krye të një organizmi shoqëror për cilësitë e tij intelektuale, organizative, bashkëpunuese dhe atdhetare, sikurse në të kundërtën, evidentohen edhe puthadorët e partive politike, të cilët frenojnë, pengojnë dhe i përcjellin në heshtje ose qëndrojnë shpërfillës, duke mos i informuar stafet e tyre për këto takime.
Shpesh më ka rastisur që të shkëmbej opinione me drejtues të disa shoqatave, të cilët nuk arrijnë të gjejnë vetveten dhe qahen sepse anëtarëve të këshillave drejtues, u ka humbur dëshira për të punuar dhe janë demoralizuar,gjë që cënon gjallërinë e veprimtarive të shoqatave.
Në disa shoqata arrihet deri aty sa të rizgjedhin përsëri ata persona që vegjëtojnë, për të mos prishur qejf, si edhe për të shmangur rrezikun e shpërbërjes së tyre ose për të ruajtur emrin e mirë të shoqatës .
Disa figura shfaqen në shoqata vetëm kur vjen momenti për tu kandiduar me votat e komunitetit. Kjo është një dhunti e pehlivanëve, që arrijnë çka u duhet dhe më pas nuk angazhohen në zgjidhjen e nevojave që shoqatat mund të kenë për salla, për sedet e tyre, për lokale ku duhet të zhvillohen kurset e gjuhës shqipe, përfshirë edhe mbështetjen që duhet t’u japin atyre me studime nga projektet që disa komuna ofrojnë për t’i realizuar së bashku me shoqatat.
Për t’u lavdëruar është edhe puna këmbëngulëse e shumë drejtuesve të shoqatave të cilët bëjnë përpjekje titanike për të mbajtur komunitetin afër, apo shkollën të hapur, merren me organizime e promovime të ndryshme ,edhe pse interesimi për këto shoqata është larg asaj që kërkohet.
Një shije të hidhur më ka lënë indiferenca shembullore e Këshillit Koordinues të Diasporën në Tiranë i cili është një organizim,” i pari në historinë e shtetit shqiptar për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve të larguar nga vendlindja ”
Shumë ftesa në drejtim të këtij Këshilli, përfshirë edhe Agjensinë Kombëtare të Diasporës për pjesëmarrje në konferenca,janë kaluar në sirtarin e harresës dhe nuk është marrë mundimi të shkruhet dy gisht letër falenderimi për çka këta atdhetarë, vullnetarë dhe patriotë në shërbim të unitetit në Diasporën Shqiptare në Itali, punojnë falas .Po e përsëris FALAS, si luftëtarë të devotshëm në ruajtje të identitetit tonë kombëtar.
Famirësisht në Itali kemi dy anëtarë të këtij këshilli ,të cilët ftoen respektivisht në të gjitha konferencat,përfshirë edhe ambasadorët e Rep.së Shqipërisë.Kosovës dhe të Maq.Veriore…. pastaj koha ka treguar se kush udhëhiqet nga bindjet politike apo normat që rregullohen me ligj për bashkëpunimin dhe mbështetjen e organizatave shoqërore vullnetare në Diasporë.
Në takimet e mija, jo rastësisht në Tiranë (2019) me P.Majkon, E.Rama. Në Milano (2017 )me D.Bushati.E .Hoxha dhe P.Majko.Në Prishtinë me H.Thaçin, R.Hajradinaj, D.Gashin dhe B.Pacollin, në Brescia me V.Muratin, nuk mund të mos përmend se kur mësonin se kush ishim dhe për çfarë mund të ndihmoheshim, me keqardhje më duhet të citoj se një pjesë e tyre kishin mbetur skllevër të doktrinës se, partia në pushtet duhet të drejtojë edhe jetën politike të diasporës. Nga një pjesë e tyre u shpreh pakënaqësia se Federata FNAI nuk ka ekuilibër politik.( ?! )
Përkundrazi,Federata Kombëtare e ka ruajtur ekuilibrin politik, e destinuar të bashkëpunojë për interesat e komunitetit shqiptar në Itali me të gjitha qeveritë e shteteve në trevat tona pa u politizuar .
Historikisht në afër 11 vjet që nga themelimi i saj , Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali, ka organizuar 8 konferenca që ia ka kushtuar emancipimit të gruas, përpjekjeve për ta ruajtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe, çështjeve organizative të shoqatave, faktorit të qëndresës kundër kosmopoilitizmit dhe asimilimit,çështjes çame,çështjes së Kosovës Lindore ,ruajtjes së unitetit të komunitetit tonë në Diasporë e, në tërësi, edhe kërkesave për realizimin e një sërë të drejtash që përcakton ligji për dokumentet, pensionet,të drejtën e votës etj .
Shumë dashamirës, intelektualë dhe drejtues të organizatave shoqërore që ndjekin veprimtarinë e Federatës, kanë shfaqur opinionet e tyre, për një hapje më të madhe të saj në drejtim të bashkëpunimit, për të unifikuar koordinimet e përbashkëta edhe me Federata të tjera shqiptare kudo ku janë, në interes të kombit .Në itali kemi edhe një potencial të madh intelektualësh në fushën ekonomiko-juridike dhe krijuese- gjuhësore dhe kjo armatë e madhe, do të sillte një zhvillim të ri për një riorganizim të koordinuar të bashkësisë sonë në Diasporë.Synimi i Federatës është që kjo armatë e madhe të sjellë një hov të ri për një organizim të koordinuar të bashkësisë sonë në Diasporë .



