Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim online me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, duke vendosur theksin te bashkëpunimi dhe roli i diasporës në zhvillimin e vendit.
Gjatë diskutimeve u trajtuan tre çështje kryesore: Strategjia Kombëtare e Diasporës 2026-2030, risitë e Ligjit të Ri për Diasporën dhe përgatitjet për Samitin e IV-t të Diasporës.
Ministrja njoftoi se samiti do të mbahet në Tiranë më 14 dhe 15 prill, duke u shndërruar në një platformë konkrete për bashkëpunim me shqiptarët jashtë vendit.
Mes risive të ligjit të ri për diasporën përmenden:
Krijimi i Qendrave të Kulturës shqiptare në botë, një prioritet i artikuluar të paktën nga dy ministrat e jashtëm të mëparshëm dhe ish-ministri i Diasporës!
Fuqizimi i Agjencisë Kombëtare për Diasporën, një institucion pothuajse inekzistent që nga viti 2021 dhe pa një kalendar të qartë aktivitetesh për diasporën!
- Strategjia Kombëtare e Diasporës 2026-2030, që e ngre në një tjetër nivel ndërveprimin me shqiptarët përtej kufijve si dhe shtimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës.
“E nisëm vitin me Këshillin Koordinues të Diasporës, mes shqiptarëve të spikatur në botë, për bashkëpunimin dhe fuqizimin e rolit të diasporës në sfidat e zhvillimit të vendit,” shkruan Spiropali në rrjetet e saj.
Samiti i IV-t pritet të bashkojë përfaqësues nga diaspora shqiptare për të diskutuar mënyra konkrete të përfshirjes dhe kontribuimit të tyre në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social të vendit, me shpresën për një kalendar më të qartë aktivitetesh dhe mbështetje reale për komunitetet jashtë Shqipërisë.



