Pianisti, kompozitori dhe producenti me origjinë shqiptare Gert Kapo, i cili jeton dhe vepron në Këln, do të ngjitet sonte në skenë me një koncert të veçantë me titull “Amanet – Sonic Heritage in New Forms”, (“Amanet – Trashëgimi muzikore në forma të reja”) në kuadër të NRW–West Balkan Days 2026.
Koncerti sjell një eksplorim të muzikës shqiptare në forma të ndryshme, duke ndërthurur traditën, kompozimin klasik dhe improvizimin bashkëkohor. Për këtë mbrëmje muzikore, Kapo ka ftuar tre muzikantë: pianisten dhe këngëtaren shqiptare Dorina Porodini, violinistin Migen Begolli, si dhe kitaristin jazz dhe interpretuesin e oud-it Epaminondas Ladas, bashkëpunëtor i hershëm i Kapos.
Programi do te hapet me një interpretim solo nga Gert Kapo në piano, pasuar nga një set duet me Epaminondas Ladas në kitarë jazz dhe oud, ku do të interpretohen pjesë të përzgjedhura nga albumi debutues i Kapos, “Amanet”. Më pas, Kapo dhe violinisti Migen Begolli do të sjellin interpretime të veprave të kompozitorëve të rëndësishëm të muzikës klasike shqiptare.
Në pjesën e dytë të koncertit, Dorina Porodini dhe Epaminondas Ladas i bashkohen ansamblit, duke interpretuar këngë të njohura të folklorit shqiptar, të aranzhuara posaçërisht për këtë mbrëmje dhe të përshtatura në kontekste të reja tingullore në format kuarteti.
Koncerti ndërthur muzikën klasike, folklorin dhe improvizimin, duke krijuar një dialog muzikor ku muzika shqiptare është në qendër, ndërsa ndikimet e kulturave fqinje bëhen të pranishme përmes elementeve si oud-i dhe kitarra jazz.
Aktiviteti do të zhvillohet më 24 janar 2026, në orën 20:00, në ambientin Old Pawn Shop, në Carthusian Wall 20, 50678 Köln. Hyrja është falas. Koncerti mbështetet nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Dyseldorf.




