Një grua me origjinë shqiptare, e identifikuar me inicialet A.S., ka paditur për shpifje të rënduar prezantuesin e emisionit televiziv italian “La Vita in Diretta”, Alberto Matano, dhe gazetaren e terrenit Barbara Di Palma, duke i akuzuar se kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe dinjitetin e saj përmes një reportazhi televiziv.
A.S., 45 vjeçe, ish-kujdestare dhe aktualisht e angazhuar në sektorin e restoranteve, ishte më herët nën hetim dhe në nëntor të vitit të kaluar u dënua me dy vjet burg për shfrytëzim të paaftësisë mendore. Ajo akuzohet se ka përfituar nga gjendja konjitive e baroneshës Maria Malfatti, e ndarë nga jeta më 31 tetor 2023 në moshën 87-vjeçare, për ta bindur ta emëronte trashëgimtare universale të pasurisë së saj, me vlerë rreth pesë milionë euro. Kjo tezë mbështetet nga nëntë nipërit e baroneshës, të cilët janë paraqitur si palë civile në proces.
Megjithatë, shqiptarja kundërshton mënyrën se si rasti i saj u trajtua në media. Çështja u trajtua në “La Vita in Diretta” më 16 prill, në një moment kur procedurat gjyqësore ishin ende në fazë paraprake. Sipas saj, përdorimi i termit “djallëzore” nga prezantuesi dhe gazetarja gjatë reportazhit përbën shpifje të rëndë, duke e paraqitur atë si person me prirje kriminale dhe morale të shtrembëra. Ajo kundërshton gjithashtu aludimet se mund të ishte pjesë e një organizate mashtruese, një hipotezë që, sipas saj, nuk është mbështetur kurrë nga prokuroria.
Më 25 qershor, zëvendës-prokurorja e Roveretos, Viviana Del Tedesco, paraqiti kërkesë për arkivimin e padisë për shpifje, duke vlerësuar se reportazhi përbënte një rindërtim gazetaresk të fakteve. Por A.S. nuk është tërhequr. Së bashku me avokatin e saj, Nicola Canestrini, ajo ka paraqitur kundërshtim ndaj këtij vendimi, duke kërkuar që çështja të shqyrtohet nga gjyqtari i seancës paraprake, i cili pritet të caktojë një seancë në ditët në vijim.
Në mbrojtjen e tyre, Matano dhe Di Palma, të përfaqësuar nga avokati Luca Tirapelle, theksojnë se reportazhi nuk kishte qëllim denigrues dhe se janë përfshirë edhe deklarata të mikeshave të të moshuarës, të cilat e kanë përshkruar sjelljen e kujdestares si “të dashur”. Sipas tyre, termi “djallëzore” i referohej sjelljeve të supozuara dinake dhe jo personalitetit të saj.
Nga ana tjetër, avokati Canestrini këmbëngul se ky cilësim është qartësisht fyes dhe shpifës, pasi nuk përshkruan një veprim, por etiketën e vetë personit. Ai thekson se prokuroria, në kërkesën për arkivim, ka injoruar pjesët e reportazhit ku hidhej hipoteza e përfshirjes së shqiptares në një organizatë fantazmë, një pretendim që – sipas mbrojtjes – nuk figuron në asnjë akt zyrtar të hetimit.
Mbrojtja e A.S. kërkon që gjyqtari të urdhërojë vazhdimin e hetimeve ose ngritjen e detyruar të akuzës ndaj dy gazetarëve, duke argumentuar se raportimi televiziv ka tejkaluar kufijtë e informimit dhe ka cenuar rëndë të drejtat e saj personale.



