Kinemaja e Kosovës do të jetë e pranishme New York City gjatë janarit 2026, me shfaqjen e dy filmave që trajtojnë realitete dhe përvoja kosovare, në kuadër të edicionit dimëror të Bronx World Film Cycle, i cili këtë vit shënon 15-vjetorin e themelimit.
Programi do të zhvillohet nga 11 deri më 18 janar 2026, me shfaqje në Manhattan dhe Bronx, si pjesë e një cikli prestigjioz arti dhe kinemaje që organizohet çdo vit që prej vitit 2011. Në kë edicion marrin pjesë 22 filma nga 16 vende, përfshirë një premierë botërore, dy premiera amerikane, pesë premiera për New York-un, një avant-premierë dhe për herë të parë edhe filma të zhanrit horror.
Shfaqjet në Manhattan do të mbahen në “La Nacional”, në adresën 239 West 14th Street, më 12 dhe 13 janar, ndërsa në Bronx filmat do të projektohen në Andrew Freedman Home më 17 janar dhe në Sankofa Haus më 18 janar.
Filmi kryesor i programit është “I, Father” (shqip: “Unë, Ati”), një adaptim kinematografik në gjuhën shqipe i veprës teatrore Princi I, e frymëzuar nga “Hamleti”. Filmi është realizuar nga regjisori i vlerësuar Mark Norfolk dhe ka në role kryesore aktorët e njohur kosovarë Makfire Miftari dhe Besim Ajeti. Miftari, njëherazi producente ekzekutive dhe drejtuese e Filma-KS, vjen nga një familje e njohur intelektualësh, ndërsa Ajeti është themelues i festivalit “Goddess on a Throne” në Prishtinë, i pari i këtij lloji në Kosovë.
Filmi është xhiruar në fshatin Gjilan, në më pak se një jave dhe me buxhet minimal, duke u konsideruar si një moment i rëndësishëm për kinemanë “art house” të Kosovës.
Në program përfshihet edhe dokumentari “Kosovo: The Cry of Man is Singing”, një episod i serisë televizive amerikane “How I Got Here” të BYU-TV, me regji nga Jim Morrison IV. Dokumentari rrëfen historinë e Naserit, një gazetar që ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i mizorive të luftës në Kosovë dhe që, vite më vonë, kthehet në atdhe së bashku me djalin e tij 15-vjeçar, Ander, në një udhëtim reflektues mes kujtesës, traumës dhe pajtimit brezash.
Organizatorët e Bronx World Film theksojnë se prej vitesh kanë qenë në pararojë të promovimit të kinemasë shqiptare dhe kosovare në SHBA, duke besuar se historia, kultura dhe përvoja e këtyre vendeve ofrojnë mësime të vlefshme mbi qëndresën, kujtesën historike, gjuhën, nderin dhe komunitetin.
Programi i plotë i Bronx World Film Cycle, Winter 2026 është i disponueshëm në faqen zyrtare të festivalit.



