Nga Anila Kadija
Takimi në kinema ishte dhurata surprizë e festave të fundvitit për nxënësit e Shkollës Shqipe Ardhmëria të zonave Westminster dhe Chiswick, duke shënuar në një mënyrë ndryshe dhe të veçantë mbylljen e vitit akademik 2025. Aktiviteti u zhvillua më 13 dhjetor 2025, në një atmosferë festive dhe plot emocione për fëmijët.
“E kush nuk i pëlqen përrallat? Fëmijëve jo vetëm që nuk duhet t’ua ndalojmë, por t’ua ushqejmë”, është filozofia që shoqëroi këtë nismë, duke theksuar rëndësinë e imagjinatës dhe romantizmit në formimin e tyre.
Tradicionalisht, fundi i vitit shkollor është festuar në klasë, me dhurata simbolike, çanta festive apo libra nga dyqane bamirësie. Këtë vit, stafi i shkollës vendosi ta zhvendosë festën jashtë mureve të klasës, duke u dhuruar nxënësve një eksperiencë të paharrueshme në kinema.
Nxënësit e grupmoshës 5–9 vjeç ndoqën dy filma të përzgjedhur posaçërisht për ta, “Wicked” dhe “Zootropolis 2”, të shfaqur paralelisht në dy salla kinemaje. Ndërkohë, për grupmoshën 10–15 vjeç, është planifikuar një tjetër dalje në kinema më 3 ose 4 janar 2026, ku do të shfaqet një film që trajton tematikat e adoleshencës.
Filmi “Wicked” u përjetua si një përrallë moderne me frymë romantike fundviti, plot ngjyra, emocione dhe mesazhe të forta. Fraza “I have been changed for good” u kthye në një model udhërrëfyes gjatë gjithë rrëfimit, ndërsa historia e dy shoqeve me rrugëtime të ndryshme – princesha e bukur dhe shtriga e përçmuar – solli reflektim mbi vlerat shoqërore, ndryshimin për mirë dhe pranimin e vetes.
Një tjetër mesazh i fortë i filmit ishte “Askund nuk është njësoj si në shtëpi”, një thirrje për ruajtjen dhe mbrojtjen e territorit dhe rrënjëve, e përcjellë përmes simbolikës së shtrigës së pyllit dhe kafshëve që ajo u kërkon të mos braktisin vendin e tyre.
Pas shfaqjes, nxënësit dhe mësuesit ndanë përshtypjet e tyre, duke shijuar jo vetëm filmin, por edhe ambientin e këndshëm të Westfield, ku u zhvillua aktiviteti. Me këtë atmosferë u mbyll viti akademik 2025 për Shkollën Shqipe Ardhmëria në Westminster dhe Chiswick.









