Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se gjatë dy ditëve të fundit janë kryer gërmime në një lokacion në rajonin e Rahovecit, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit, dje në zonën e njohur nga banorët si Përzhina, pranë varrezave të qytetit, u gjetën dy pjesë eshtrash të cilat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim. Ndërkohë, sot u zbuluan mbetjet e të paktën një individi, që mund të jenë pjesë e listës së personave të zhdukur gjatë konfliktit të vitit 1998/99.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet e tjera të angazhuara në këtë proces mbeten të përkushtuara në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe në informimin e rregullt të opinionit publik, duke respektuar ndjeshmërinë e procesit dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre”, thuhet në njoftim.
Muajt e fundit janë kryer gërmime në disa lokacione në Kosovë, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës. Në shtator, në Lugjet e Nekës në Bjeshkët e Strellcit, u zbuluan mbetje mortore, ndërsa në tetor, në Hajvali të Prishtinës, u gjetën eshtra që dyshohet se i përkasin të paktën katër personave të zhdukur.
Kreu i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka deklaruar se gjatë vitit 2025 janë gjetur mbetje mortore në 12 lokacione të ndryshme në Kosovë. Gjatë luftës së fundit, rreth 13 mijë persona u vranë, ndërsa rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të zhdukur, shumica civilë shqiptarë.
Kosova dhe Serbia kishin arritur më 2023 një pajtueshmëri për Deklaratën e Përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por kjo ende nuk është zbatuar plotësisht. Deklarata përmbante zotime për qasje të plotë në informacione, dokumente të klasifikuara dhe krijimin e një komisioni për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.



