Policia italiane ka arrestuar 24 persona, mes tyre edhe një 36-vjeçar shqiptar, të dyshuar për trafikim, posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Si pjesë e operacionit, 19 prej të arrestuarve janë dërguar në burg, ndërsa 5 të tjerë janë vendosur në arrest shtëpiak me byzylykë elektronikë.
Hetimet nisën nga mbikëqyrja e 36-vjeçarit shqiptar, i njohur për precedentë penalë, i cili sipas autoriteteve konsiderohet figura kyçe dhe forca lëvizëse e trafikut të kokainës në zonën e Foggias. Mediat italiane raportojnë se ai kishte ngritur një bazë operative në qytet, nga ku dyshohet se menaxhonte blerjen me shumicë të drogës, e cila importohej përmes kanaleve të bashkatdhetarëve të vendosur në Italinë Veriore.
Në aktivitetin kriminal dyshohet se janë përfshirë shtetas italianë, shqiptarë, gjeorgjianë dhe rumunë, të moshës 23 deri në 61 vjeç. Rrjeti ishte aktiv jo vetëm në provincën e Foggias, por edhe në zonat e Rietit, Emilia Romagna-s dhe Molise-s së poshtme.
Fitime deri në 200 mijë euro në muaj
Sipas hetuesve, organizata kriminale kontrabandonte nga 5 deri në 10 kilogramë kokainë në muaj vetëm në provincën e Foggias. Substanca blihej me mbi 22 euro për gram dhe rishitej në treg për çmime që varionin nga 30 deri në 50 euro për gram, në varësi të sasisë. Fitimet mujore të rrjetit vlerësohen në rreth 200 mijë euro.
Gjatë hetimeve u konstatua edhe cilësia shumë e lartë e drogës. Një sekuestrim prej 2 kilogramësh kokainë, që dyshohet se kishte origjinën nga Bolivia, rezultoi 96 për qind e pastër sipas analizave laboratorike të karabinierëve.
Depo të fshehta dhe rrjet paralel në Veri
Të dyshuarit përdornin depo të ruajtura për magazinimin dhe paketimin e drogës, e cila në shumicën e rasteve shpërndahej e paprerë. Vëzhgimi i korrierëve çoi gjithashtu në identifikimin e shtatë personave të tjerë në provincën e Parmës, të dyshuar për krijimin e një rrjeti paralel dhe të pavarur të trafikimit të narkotikëve, me një xhiro edhe më të lartë.
Për t’iu shmangur kontrolleve policore, anëtarët e grupit përdornin metoda të sofistikuara, përfshirë fshehjen e drogës në automjete me funde të rreme dhe komunikimin përmes kriptofoneve. Transferimi i fitimeve, të destinuara drejt Shqipërisë, kryhej përmes shoferëve të autobusëve dhe kamionëve që lëviznin sipas itinerareve të rregullta.
Gjatë një operacioni në janar, karabinierët sekuestruan 40 mijë euro para të gatshme në një zonë pushimi përgjatë autostradës SS16. Paralelisht me ekzekutimin e masave paraprake, autoritetet lëshuan edhe nëntë urdhra për seanca paraprake dëgjimore ndaj nëntë personave të tjerë të dyshuar për të njëjtat vepra penale.



