Në qytetin e Fanos, në Itali shkolla plotësuese shqipe “Migjeni” po zhvillon një punë model me fëmijët e diasporës, të cilët rriten mes dy kulturave dhe dy gjuhëve. Në një klasë të përbërë nga nxënës 6–10 vjeç, mësimi i gjuhës shqipe merr formën e një procesi të gjallë, kreativ dhe të menduar me kujdes, ku sfida kryesore është motivimi i fëmijëve dhe mbajtja e vëmendjes së tyre në një mjedis dygjuhësh.
Ora e mësimit që ndjekin zhvillohet mbi bazën e tekstit tradicional “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, por plotësohet edhe me praktika bashkëkohore në kuadër të projektit “Libri, shoku më i mirë”. Falë bashkëpunimit me bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës dhe punës së mësueseve Mrasela Mana dhe Rovena Sinani, fëmijët kanë në dispozicion libra të përshtatshëm për moshën dhe nivelin e tyre gjuhësor, duke i dedikuar çdo orë rreth 20–30 minuta leximit të lirë.
Tema e kësaj ore – Motivimi i nxënësve, sfida kryesore e klasave kolektive në kushtet e dygjuhësisë – trajtohet përmes fabulës së Ezopit “Gjinkalla dhe milingona”, e cila shërben si model për zhvillimin e fjalorit, mendimit kritik dhe kuptimit të moralit të historisë. Mësimi ndërtohet në disa etapa dhe shoqërohet me mjete kreative, materiale të dy gjuhëve, si dhe me dramatizim teatror, duke e kthyer klasën në një laborator të vërtetë gjuhësor dhe artistik.
Nga Marsela Mana dhe Rovena Sinani
Tema e plotë
Zhvillimi i një ore mësimi me klasën e parë të kursit plotësues të shkollës “Migjeni”, të qytetit të vogël bregdetar Fano.
Klasa që ndjekim është e përbërë nga nxënës të grupmoshave : 6-10 vjeç. Jemi duke punuar me tekstin tradicional: Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare – Niveli I , shkalla e parë.
Krahas përdorimit të tekstit tradicional, të cilit i kushtojmë pjesën më të madhe të kohës, në kuadër të projektit: “Libri shoku më i mirë”, kemi vendosur t’i dedikojmë rreth 20- 30 minuta leximit të librave që na ka siguruar biblioteka “Marin Barleti “ e qytetit të Shkodrës, projekt i cili u realizua me sukses nga mësuese Rovena Sinani.
Një nga sfidat pricipale të mësimit dy gjuhësh është: ”Rezultatet e të nxënit” Arritja e rezultateve të të nxënit kalon në tre etapa:
Faza e parë: Përzgjedhja e materialit të përshtatshëm për moshën dhe nivelin gjuhësor
Materiali i përzgjedhur: Fabula e Ezopit “Gjinkalla dhe milingona”
Në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është ajo që duam të arrijmë nëpërmjet temës që do të trajtojmë. Si mund të arrijmë t’i motivojmë nxënësit:
- Nxënësit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë atë që dëgjojnë. Për këtë qëllim, pjesa zgjidhet sa më tërheqëse dhe interesante, e thjeshtë, dhe nga kjo nxënësi duhet të nxjerrë një mësim në jetë: pra: ”MORALI”.
- Njëkohësisht të jenë në gjendje të tregojnë përmbajtjen me fjalët e tyre, edhe shumë shkurt.
- Të zhvillojnë mendimin kritik.
- Të seleksionojnë pjesën që i pëlqen, dhe pse i pëlqen.
- Lidhja e temës me përvojat dhe njohuritë që ka.
- Pasurimi i fjalorit dhe flalët kyçe.
- Mbasi dëgjohet dhe lexohet pjesa, nënvizohen fjalët e reja dhe shpjegohet kuptimi.
Faza e dytë: Mjetet e punës
Përveç librit dhe fletores së punës kemi shfrytëzuar materiale nga interneti të cilat i kemi përshtatur në dy gjuhë. Mjete të thjeshta të realizuara nga vetë mësueset, dhe përdorimi i maskave të realizuara nga mësueset dhe nxënësit, për t’a bërë sa më konkrete përjetësimin e kësaj fabule. (Për këtë kemi përdorur karton, akuarel, dhe rrathë për flokë, në të cilët kemi montuar antenat si karaktetistikë e këtyre insekteve. Projektor për shikimin e copës së përzgjedhur të përshtatur në dy gjuhë.
Metodologjia
Për arritjen e rezultateve të të nxënit, kemi përdorur disa metoda:
Leximin e drejtuar: mësuesja lexon dhe nxënësit dëgjojnë.
Metodën e Bashkëbisedimit: Pyetje- përgjigje
Leximin me ndalesa: nxënësi fillon të lexojë deri në një farë pike, pastaj vazhdon tjetri.
Fjalët kyçe dhe fjalët e reja (shqip- italisht)
Nxënësit dëgjojnë përmbajtjen në të dy gjuhët nëpërmjet leximit drejtues. Gjatë leximit ata ndjekin, dhe i kërkohet të nënvizojnë fjalët e panjohura. Shpjegohen fjalët e reja
Gjinkalla-Cicala
Milingona- Formica
Fole- Tana
Dridhej-Tremava
Kokrra gruri- Chicchi di grano
Pasi e kanë kuptuar përrallën ndahen në dy grupe në bazë të personazheve kryesorë të përrallës.
Faza e tretë: Realizimi nëpërmjet një teatri modest. Laboratori dhe përgatitja e skenarit.
Nxënësit pasi e kanë dëgjuar, dhe e kanë kuptuar fabulën, ndahen në dy grupe. Grupi i parë interpreton rolin e Gjinkallës, dhe i dyti atë të Milingonës. Mbasi e kanë shkruar në fletore tekstin, nxënësit e grupit të parë nënvizojnë fjalët e gjinkallës, dhe ata të grupit të dytë , fjalët e milingonës. Pasi kanë ilustruar imazhet e dy personazheve në fletore, lexojnë dialogun në bazë të roleve.
Përgatitja e veshjeve dhe maskat e personazheve, në mënyrë që të realizojmë një skenar sa më konkret për dramatizimin e teatrit me rolet e dy personazheve.
Maska e milingonës
I kërkohet nxënësve të kenë veshur veshje më ngjyrë të zezë. Realizohet në klasë ngjyrosja e maskës së milingonës , dhe antenat. Për realizimin e maskave kemi përdorur këto materiale: karton, penel, bojëra uji, rrathë për flokë, karton i modelueshëm, llastik i butë.
Kostumi, dhe maska e gjinkallës
I kërkohet nxënësve të kenë veshur veshje me ngjyrë të gjelbërt. Realizojmë me letër velina xhaketën e gjinkallës , dhe pastaj maskën. Për realizimin e këtij kostumi kemi përdorur letër velina , ngjitëse, karton i modelueshëm, kitarë ose violinë, llastik i butë.
Përzgjedhja e materialit, përshtatja në dy gjuhë, dhe ana didaktike u realizua nga mësuese: Marsela Mana
Laboratori, përgatitja e maskave dhe veshjeve u realizua nga mësuese: Rovena Sinani.
Roli i gjinkallës: Robin Sinani
Roli i milingonës: Kleandra Prendaj, Leandra Pjetri dhe Gabriel Xhihani.






