Në një nga sallat më intime të Londrës, ku tingulli duket se sfidon kufijtë fizikë, publiku përjetoi një mbrëmje muzikore që vështirë se do të harrohet. Violinistja Greta Kosova Papa, së bashku me ansamblin prestigjioz “Waldstein Trio”, sollën një interpretim të jashtëzakonshëm, të mbushur me elegancë artistike, profesionalizëm dhe pasion virtuoz.
Trioja, e njohur për performancat e saj në skena ikonike botërore si Musikverein, Beethoven-Haus, Mozarteum dhe Carnegie Hall, si dhe fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, interpretoi vepra të kompozitorëve më të mëdhenj të traditës klasike, duke zhytur audiencën në një atmosferë hipnotizuese.
Mbrëmja u bë edhe më e veçantë falë prezantimit të z. Stephen Johnson – autor, kritik muzikor dhe kompozitor me një karrierë të gjatë në BBC Radio 3 dhe në botimet më të rëndësishme muzikore ndërkombëtare. Publiku pati privilegjin të dëgjonte një nga kompozimet e tij më të fundit, të cilin ai e solli të shoqëruar me një rrëfim të ngrohtë, njerëzor dhe plot thellësi mbi fabulën që frymëzoi krijimin.
Ndërthurja e tregimit të Johnson-it me interpretimin brilant të “Waldstein Trio-s” krijoi një atmosferë për t’u mbajtur mend gjatë. Në fund të performancës, salla qëndroi në një heshtje absolute – aq e thellë sa, siç tregonin të pranishmit, mund të dëgjoheshin vetëm rrahjet e zemrës, të sinkronizuara si pjesë e një magjie kolektive.
Këtë emocion të rrallë e ndanë së bashku një grup miqsh dhe artdashësish: Lirka Kadriu, ambasadori shqiptar z. Uran Ferizi, Mariela Cingo, Tomor Kokona, Alma dhe Elton Panajoti – të gjithë bashkë për të mbështetur dhe duartrokitur talentin e Gretës.
Mirënjohje dhe falënderim Greta Papa për performancën dinjitoze dhe emocionet që u dhuroi publikut shqiptar dhe ndërkombëtar në Londër! Artisti i vërtetë nuk flet vetëm me nota – ai prek shpirtin. Dhe këtë mbrëmje, Greta dhe trioja e saj bënë pikërisht këtë.





