Me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Washington u zhvillua një ceremoni e veçantë ku morën pjesë antarë të komunitetit shqiptar në SHBA, anëtarë të trupit diplomatik, përfaqësues të Kongresit amerikan, zyrtarë nga Departamenti i Shtetit, atashe ushtarakë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve amerikane. Ngjarja u cilësua një moment reflektimi mbi rrugëtimin historik të shtetit shqiptar dhe partneritetin e tij të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara.
Në fjalimet e mbajtura gjatë ceremonisë, u theksua se kjo ditë shënon aktin themeltar të shtetësisë shqiptare, një vendim i guximshëm që përcaktoi të ardhmen e kombit dhe që mbetet simbol i vizionit të etërve të pavarësisë.
Teksa Shqipëria shënon 113 vjet shtetësi, u nënvizua se vendi vijon të mbetet i angazhuar si një demokraci e qëndrueshme, anëtare e NATO-s dhe partnere e besueshme e SHBA-së. Vlerat e përbashkëta dhe përkushtimi ndaj lirisë e demokracisë u përmendën si themeli i marrëdhënies së gjatë shqiptaro–amerikane.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. U vlerësua roli i saj si një urë e fortë lidhjeje mes dy vendeve, duke forcuar marrëdhëniet dypalëshe përmes angazhimit qytetar, suksesit profesional dhe integritetit. Të shumtë ishin shqiptarët e ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës për t’u bashkuar në kryeqytet në festimet e kësaj dite simbolike.
Në ceremoninë festive u theksua se shqiptarët dhe miqtë amerikanë festuan jo vetëm Pavarësinë e Shqipërisë, por edhe partneritetin e posaçëm strategjik me SHBA-në – një marrëdhënie që konsiderohet burim stabiliteti dhe shprese për të ardhmen e kombit shqiptar.



