Në Londër, nën organizimin e shoqatës “Ardhmëria”, mbi 20 shkolla shqipe u mblodhën për të festuar Nëntorin e Shqiptarisë në sallën e koncerteve të shkollës shqipe në zonën Westminster. Gjuha, tradita dhe kultura shqiptare u ndanë mes brezave në një atmosferë që e mbushi sallën me emocione.
Programi artistik i nxënësve solli performanca të bukura e të larmishme: interpretimin poetik të Sokol Cahanit, një pjesë të ndjerë në violinë nga Kristiana Zotkaj, si edhe këngë nga rapsodët që emocionuan publikun.
Pjesë e organizimit artistik dhe mbarëvajtjes së aktivitetit ishin mësueset dhe drejtueset: Anila Kadija, Ilira Mucaj, Linda Bazina, Anita Toci, Esmeralda Dogjani, Solinda Ponari, Blerta Sefolli, Eglantina Rapaj, Aurora Lloshi, Valbona Gjoni, Fatmira Zyberaj, Ermira Kola, së bashku me DJ Kastrati.
Në këtë aktivitet morën pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Britani, z. Uran Ferizi, dhe Ambasadori i Kosovës, z. Ilir Kapiti. U festuan tre ditë të mëdha të kombit: Dita e Alfabetit, Dita e Flamurit dhe Dita e Çlirimit.
Vlerësim i posaçëm ju dedikua z. Lutfi Vata për kontributin e tij të palodhur në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe angazhimin ndaj komunitetit në Britani.
Përshëndetjen e hapjes e mbajti z. Lavdrim Krashi, Kryetar i Bordit të “Ardhmërisë”, ndërsa i ftuar nderi ishte z. Nehat Mustafa, ish-zëvendësministër i Arsimit në Kosovë dhe aktualisht Drejtor i Qendrës për Avancimin e Performancës së Arsimit, një mbështetës i hershëm i shoqatës. Mes të pranishmëve përshëndeti edhe znj. Aida Haziri.
Një falënderim i veçantë iu drejtua mësueseve të gjuhës shqipe, organizatorëve dhe donatorëve që mundësuan zhvillimin e kësaj feste.















