Emri i tij fillimisht ka qenë i njohur tek ne gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Kënga “Përpara jetës” e Shostakoviçit këndohej nga partizanet shqiptarë dhe është ndër të parat krijime muzikore të cilat u botuan menjëherë pas çlirimit në Shqipëri. Kjo këngë ka zënë vend në botimin “Hymne dhe këngë partizane”, botim i Mesagjerisë së Përgjithshme të Shtypit, Tiranë, 1946. Te “Dy fjalë” në hyrje të botimit, “Komisioni i shqyrtimit” thekson se u pat si kriter që “fryma e malit, të mos cënohet; që këngët të këndohen ashtu siç i kënduan partizanët”, duke pohuar edhe se disa nga këto të fundit u janë përshtatur melodive të këngëve revolucionare të atyre popujve që bënë të njëjtën luftë me tonën.
Kompozitori ynë i shquar Cesk Zadeja (1927-1997) e ka njohur personalisht Shostakoviçin i cili ka qenë kryetar komisioni si në pranimin e tij në konservatorin Cajkovski ashtu edhe në diplomimin e Zadejes. Firma e Shostakoviçit është e hedhur në diplomën e tij. Njohja mes tyre u ndikua nga fakti që profesori i Zadejes, Cullakin ishte nje nga miqte e ngushtë të Shostakoviçit.
“Simfonia e Stalingradit” e Shostakoviçit, ishte ndër më të njohurat edhe në Shqipëri. Dëshmitarë shqiptarë provojnë se interpretimi i simfonisë si premierë botërore në 4 nëntor 1943 përmes një transmetimi radiofonik mbarëbotëror, i frymëzuar nga rezistenca e qytetarëve dhe e Ushtrisë së Kuqe në mbrojtje të Stalingradit u dëgjua edhe në Shqipërinë e pushtuar. Nga ana e tij, Zadeja shkroi për këtë simfoni me shumë përkushtim me rastin e premierës së filmit sovjetik “Simfonia e Leningradit” i regjisorit Zakhar Agranenko (1912–1960), i cili u shfaq në Tiranë në vitin 1957. Megjithëse filmi mbështetej në historinë e krijimit të kësaj simfonie, Zadeja gjeti rastin e mbarë të shkruante disa fjalë të ndiera për përmbajtjen e simfonisë, si më poshtë:… artisti popullor i Bashkimit Sovjetik, kompozitori i talentuar Shostakoviç e krijoi këtë sinfoni në ditët e bllokadës së qytetit të Leninit gjatë luftës së madhe patriotike. I inspiruar nga sakrificat e mëdha të njerëzve paqedashës sovjetikë për qëndresën dhe vetëmohimin kundër hordhive të Hitlerit, simfonia përshkruan me forcë e emocion këtë qëndresë të leningradasve në ditët e urisë dhe të bombardimeve. Tri kohët e simfonisë u shkruan në Leningrad në ditët e bllokadës, kurse koha e katërt (finalja) u mbarua në Kuibishev.
Kujtime nga takimet me Shostakoviçin në vitet 1960, kanë edhe dy shqiptarë të tjerë mjaft të njohur: dirigjenti dhe muzikologu Eno Koço dhe studiuesi Bardhyl Kosova. Sipas maestro Koços: … kam qenë në premierën e kuartetit 7 dhe 8 që u dhanë në një natë të dy kuartetet, në sallën e vogël (Glinka) të Filarmonisë së Leningradit. Ishte 2 tetor 1960. Kuartetet i luajtën kuarteti me emrin e Beethoven-it (i përbërë nga Ciganov, Shirinski, Borisovski, Shirinski). Isha vetëm 17 vjeç. Hipnotike e gjithë mbrëmja. Pas përfundimit, me insistimin e Solomon Vollkovit, takuam Shostakoviçin në të djathtë të skenës ku jepte autografe. Firmën e tij kisha fatin ta kisha edhe unë në programin e koncertit të asaj nate. Me Sollomonin ishim shokë të ngushtë. Ai shkroi biografinë më të njohur të Shostakoviçit. U takuam me Solomonin më 2005, në Neë York, Manhatam, në apartamentin e tij në katin e 30 e ca. Më dha dhe disa libra të tij me dedikim. Folëm edhe për Shostakoviçin gjatë .
Më herët ishte Bardhyl Kosova, ish-student në Moskë në vitet 1950, i cili në takimet që kam pasur me të më ka pohuar se e ka takuar kompozitorin e shquar në dy raste. Ai tregon se: …në këtë periudhë kritike për Shostakoviçi, m’u dha rasti të njihem me kompozitorin e madh në institucionin e “Radio Televizionit” të Moskës. Atëherë Shostakoviçi punonte për muzikë filmash, kurse unë si redaktor-përkthyes i filmave për Shqipërinë…. Herën e fundit jam ritakuar në Moskë, në vitin 1959. Ndodhesha përsëri në Moskën e dashur, me një delegacion kultural. Gjatë qëndrimit njëmujor atje mora pjesë në premierën moskovite të operetës “Moska Ceriomushki”. Më rastisi të isha me një rresht, ku po qëndronte, ulur vetë Shostakoviç, bashkëshortja, si dhe djali i tij. Më njohu dhe më përshëndeti: “Allbanjec”. Pas këtij triumfi në sallë, kompozitorin gjenial po e pritnin korrespodentët e huaj të shumtë. Unë iu afrova Shostakoviçit dhe i dhashë libreton për të më firmosur një autograf. Të nesërmen, gjithë habi, pashë në gazetat moskovite fotografinë e kompozitorit Shostakoviç duke më dhënë autografin e tij.







