Në Ambasadën e Kosovës në Londër u zhvillua edicioni i dytë i aktivitetit kulturor “Pena që lëvron jetë”, një nismë e ideuar dhe moderuar nga znj. Anila Kadija, që synon të promovojë figurat e shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Aktiviteti, tashmë i kthyer në traditë, u mirëprit nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Sh.T.Z. Ilir Kapiti.
Këtë vit, në qendër të vëmendjes ishin dy autorë të nderuar: znj. Valbona Ismaili Luta dhe z. Durim Taçi, ndërsa atmosfera u pasurua nga interpretimi i violinistes Kristiana Zotkaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, zv/ambasadori Vlorat Gashi nënvizoi rëndësinë e këtij organizimi, duke theksuar se veprimtari të tilla forcojnë lidhjet e komunitetit shqiptar jashtë vendit me trashëgiminë tonë letrare e artistike, si dhe hapin rrugë për bashkëpunime të reja kulturore.
Figura dhe krijimtaria e autorëve
Znj. Valbona Ismaili Luta, e lindur në Prishtinë dhe vendosur në Londër që prej vitit 1993, nisi të botojë poezitë e saj që në adoleshencë në gazetën studentore “Bota e Re”. Ajo ka botuar në antologji shqip dhe anglisht, përfshirë edhe në numrin special të “Index on Censorship” (2002). Me një përvojë të gjerë si gazetare në Radio France International dhe revista “Teuta”, znj. Luta është anëtare e këshillit drejtues të “Exiled Writers Ink” në Londër dhe themeluese e FLO-së, Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë në Orllan, Kosovë.
Z. Durim Taçi, me studime në filologji, kinematografi dhe filozofi në Tiranë e Milano, është autor dygjuhësh dhe përkthyes. Romani i tij “Codice Kanun” (2016) u nderua me Çmimin Montefiore, ndërsa libri “Liqeni në mes të detit” fitoi Çmimin Fishta 2022. Ai është gjithashtu fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë 2021 me përmbledhjen “Nga një derë tjetër”, botuar edhe në italisht. Pas shumë vitesh emigrimi në Itali, në vitin 2024 u rikthye në Shqipëri dhe aktualisht punon në Qendrën e Studimeve të Arteve në Akademinë e Shkencave. Në Londër ai prezantoi librin e tij më të fundit “Lakimi”.
Dimensioni muzikor i mbrëmjes
Publikun e emocionoi gjithashtu interpretimi i violinistes Kristiana Zotkaj, e lindur në Tiranë në vitin 1991, e cila u formua profesionalisht në Shkollën e Mesme Artistike “Jordan Misja” dhe Universitetin e Arteve, ku përfundoi studimet Master në vitin 2015. Me një eksperiencë të pasur si soliste dhe pjesëtare orkestrash, ajo jeton prej vitesh në Mbretërinë e Bashkuar ku kombinon pasionin për muzikën me mësimdhënien për fëmijë.
Një mbrëmje arti dhe bashkëpunimi kulturor
Edicioni i dytë i “Pena që lëvron jetë” u vlerësua si një mbrëmje e veçantë arti dhe letërsie, ku fjala poetike, proza dhe muzika u ndërthurën për të sjellë një hapësirë reflektimi dhe frymëzimi. Aktiviteti u organizua nga Shoqata e Kulturës dhe e Artit Britaniko-Shqiptare (BACA), në bashkëpunim me klubin e leximit “Book Lovers” në Angli.





