Situata e zjarreve në disa zona të Shqipërisë, veçanërisht në Gramsh dhe Delvinë, vazhdon të jetë shumë e vështirë. Era ka përhapur flakët, duke krijuar vatra të reja dhe duke rrezikuar fshatra dhe banesa. Në Skënderbegas, gjashtë fshatra janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa i shtati sapo është përfshirë nga zjarri. Një natë tmerri dhe frike kaluan banorët e Delvinës, ndërsa disa qytetarë, përfshirë ushtarë që po ndihmonin në shuarje, morën ndihmë mjekësore për asfiksi.
Në Gramsh, zjarri ka shkatërruar 39 banesa në fshatin Skënderbegas, ndërsa ekipet e ushtrisë dhe zjarrfikësit po punojnë për të parandaluar përhapjen drejt fshatit Nartë. Flakët vijojnë të përhapen edhe në Bulqizë, ndërsa ndërhyrja nga ajri mbetet vendimtare për kontrollin e situatës.
Autoritetet lokale dhe shtetërore, përfshirë Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, zjarrfikësit dhe administratat vendore, janë angazhuar intensivisht për të vendosur nën kontroll çdo vatër aktive. Në Gramsh dhe Delvinë po operojnë pesë helikopterë, ndërsa qindra efektivë dhe vullnetarë punojnë në terren pa ndërprerje.
Situata mbetet e vështirë edhe në Velçan të Beratit dhe Orizaj të Skraparit, ku forcat zjarrfikëse dhe shërbimet pyjore po përpiqen të fiknin flakët. Në disa zona, ndërprerja e energjisë elektrike dhe tymi masiv vështirësojnë punën e ekipeve.
Ndërkohë, zjarret në rrethin e Gjirokastrës janë shuar plotësisht, dhe autoritetet monitorojnë situatën për të parandaluar rishfaqjen e flakëve. Në Kolonjë, një vatër e re në Parkun Natyror të Gërmenjes mbetet aktive, ndërsa operacionet vazhdojnë me mbështetje nga ajri dhe me koordinim të autoriteteve greke për sigurinë e zonës kufitare.
Prefektët dhe strukturat vendore vazhdojnë koordinimin për menaxhimin e emergjencave, ndërsa banorët e evakuuar po marrin ndihmë dhe mbrojtje. Autoritetet apelojnë për kujdes dhe bashkëpunim të qytetarëve, duke theksuar vendosmërinë për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin.



