Në Shkodër është hapur ekspozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”, një ekspozitë unike që sjell për herë të parë për publikun shqiptar koleksionin e Palokë Lacës, tregtarit të njohur shkodran të shekullit të kaluar.
Koleksioni, i përbërë nga rreth 300 objekte si bizhuteri dhe veshje tradicionale shqiptare, është ruajtur për dekada në arkivën e Muzeut Kombëtar të Etnografisë në Budapest. Palokë Laca – i njohur në hungarisht si Paolo Lazza – i kishte shitur ato objekte këtij muzeu, duke lënë kështu një trashëgimi të çmuar kulturore.
Rikthimi i këtij koleksioni në Shkodër është bërë i mundur falë një bashkëpunimi mes Muzeut Marubi dhe kuratores Kim Knoppers. Një rol të rëndësishëm në hulumtimin dhe identifikimin e historisë së koleksionit e ka pasur drejtori i “Marubit”, Luçjan Bedeni.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e ka ndarë lajmin për ekspozitën, duke ftuar publikun që të vizitojë këtë hapësirë të veçantë. “Një mundësi e rrallë për të parë nga afër objekte autentike që rrëfejnë historinë tregtare dhe kulturore të Shkodrës së dikurshme,” – është shprehur ministri në njoftimin e tij.
Ekspozita është e hapur çdo ditë, nga e hëna në të dielë, në orarin 09:00–19:00.
Një seksion i veçantë i ekspozitës i kushtohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, i cili përmes teknikës jacquard sjell një interpretim bashkëkohor të motiveve tradicionale shkodrane, duke krijuar një urë mes së kaluarës dhe së tashmes artistike.
“Pazari i Humbur i Shkodrës” është një ftesë për të reflektuar mbi trashëgiminë dhe për ta parë historinë si pjesë aktive të identitetit kulturor.




