Nga Marsela Mana.
Në vitin 2023 shoqata “Ilirianët” e qytetit të Fanos në Marche mori një nismë mjaft të rëndësishme që ishte ëndërr për gjithë komunitetin: Hapjen e kursit të gjuhës shqipe e cila u realizua më 18 mars 2023.
Hapja e kësaj shkolle ishte mjaft pozitive, jo vetëm për faktin që do të arrinte të mbante gjallë gjuhën, por edhe krijimin e lidhjeve shoqërore të shqiptarëve me njëri-tjetrin.
Prindërit ishin mjaft të interesuar, jo vetëm për vazhdimësinë dhe përvetësimin e gjuhës nga fëmijët , por edhe për përcjelljen e kulturës dhe traditave tona të mrekullueshme, që na bëjnë të jemi autentik e të ndryshëm nga të tjerët!
Duke u mbështetur në programin mësimor i hartuar sipas parimeve të parashtruara nga znj. Linda Mëniku në Seminarin e Bolonjës: “Metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë” mendova të trajtoj pikërisht në bazë të programit, se si mund të bëhet i mundur përvetësimi i gjuhës në kushtet e shkollave tona ku përfshihen nxënës të grupmoshave të ndryshme, e të kulturave të ndryshme , dhe të nënshtetësive të ndryshme , theksoj që ka edhe nxënës që asnjë nga prindërit është shqiptar, dhe frekuentojnë këtë kurs. Pika kryesore për mbarëvajtjen e proçesit mësimor është:
Përvetësimi i gjuhës nëpërmjet katër kompetencave themelore të një gjuhe ,që siç e dimë të gjithë janë:
Të dëgjuarit,
Të folurit,
Të lexuarit,
Të shkruarit.
Do të ndalesha pak tek kompetenca e dytë që është të folurit që është ajo më e komplikuara, dhe që arrin të përvetësohet e fundit. Jemi të gjithë të vetëdijshëm , pasi ndodhemi në të njëjtin pozicion. Të gjithë kemi lënë vendin amë, dhe të gjithë flasim të paktën një gjuhë të huaj. Në fillim dëgjojmë të flitet gjuha e huaj , por kuptojmë pak dhe nuk flasim aspak , pastaj kuptojmë më shumë, dhe flasim pak 0, e me kalimin e kohës arrijmë t’a flasim plotësisht.
Pra doja të theksoja që;
Qëllimi final i përvetësimit të një gjuhe është pikërisht kur ti arrin edhe t’a flasësh.
Si mund të veprojmë për të arritur finalen?!
Për këtë mendoj që një nga faktorët kryesorë për të arritur të folurit është dëgjimi sa më shumë e mundur i gjuhës në situata të ndryshme. Pra të dëgjuarit. Kjo mund të realizohet mirë nëpërmjet përrallave fabulave, tregimeve, legjendave, pasi ato janë shumë interesante, dhe zgjojnë kureshtjen e fëmijëve.
Pika tjetër, për të mbajtur gjallë kureshtjen dhe në vazhdimësi, për të aktivizuar sistemin konjiktiv janë imazhet. Nxënësi nëpërmjet imazheve e ka të qartë deri diku, atë që do të trajtohet. Dhe pastaj imazhi i plotë arrihet nëpërmjet muzikës. Pra 3 komponentët kryesorë për të bërë të mundur kompetencën e të folurit janë: Të dëgjuarit, vizioni, që bëhet i mundur nëpërmjet imazheve dhe videove, dhe muzika si faktor principal pasi bën të mundur lindjen e emocioneve. Muzika ndikon në memorizimin e fjalëve, favorizon lidhjet e fëmijëve me njëri-tjetrin, rrit përqendrimin, përmirëson të kuptuarit e tekstit, pasuron fjalorin, rrit autostimën. Kjo mund të realizohet shumë mirë nëpërmjet përrallave të shoqëruara edhe me muzikë, pra duke i bashkangjitur muzikën.
Them përrallat, sepse në to duke qenë të pranishëm personazhet fantastikë, tërheqin vëmendjen e fëmijëve, dhe transmetojnë shumë vlera njerëzore siç janë: Ndershmëria , mirësjellja, dhe mbi të gjitha rrisin empatinë. Përrallat kanë në qendër një personazh që duhet të kalojë sfida e vështirësi, por në fund del gjithmonë fitimtar. Pra e mira , e drejta fiton gjithmonë kundër të keqes. Kjo rrit shumë vetbesimin dhe shërbejnë si një shembull i mirë. Duhet të kemi parasysh në përzgjedhjen e përrallave në përshtatje me moshën e fëmijëve. Tema e përrallës që do të doja të trajtoja është:
“Puna është flori” (Përrallë)
Materiale: Filmi vizatimor i realizuar duke u mbështetur në të njëjtën përrallë.
Ambjenti: Një nga sallat e bibliotekës së qytetit.
Për prezantimin e përrallës vendosëm të bënim një orë mësimi të hapur në bibliotekën e
qytetit të Fanos. U ftuan nxënësit e dy grupmoshave, prindërit, të gjitha mësueset, kryesia e shoqatës, gjithashtu shprehën dëshirën të merrnin pjesë edhe operatorë të bibliotekës, pasi ishin të shtyrë nga kurioziteti.
Ishin kuriozë pasi ne nuk është hera e parë që kemi zhvilluar mësim të hapur në këtë bibliotekë.
Përrallën e ndava në sekuenca dhe çdo sekuence i bashkangjita imazhin përkatës, gjithashtu edhe muzikën. Nxënësit e kuptuan përrallën dhe ngelën të kënaqur. Ishin kureshtarë deri në fund të dinin, se me të vërtetë do të mundnin vëllezërit të gjenin thesarin që kishte fshehur babai në arë!?
Kjo i mbante gjallë emocionet.
Morali i përrallës : Vetëm nëpërmjet punës mund të arrihen rezultate!
Iu shpjegua nxënësve rëndësia e punës në jetën e përditshme, dhe ndihmesa edhe pse e vogël që mund të ofrojnë në shtëpitë e tyre, duke vënë në vendin e duhur sendet e tyre, librat , veshjet duke ndihmuar sadopak prindërit. Me punë arrihet gjithçka , një nga tiparet kryesore që ka karakterizuar popullin tonë!
Edhe operatorët e bibliotekës ngelën të kënaqur dhe na falënderuan në shqip. Kur të falenderon një i huaj në gjuhën tënde, ndihesh me të vërtetë krenar.
Ora e mësimit të hapur u realizua me sukses dhe të gjithë ngelën të kënaqur.
Orë të shumta si këto na presin, dhe do t’i realizojmë me kënaqësi se ne të gjithë punojmë me pasion. Kjo ishte një eksperiencë që do të dëshiroja t’a ndanim së bashku.
***
Marsela Mana ka lindur në qytetin e Fierit. Ka studiuar në liceun artistik të qytetit të lindjes, dhe më pas, shkencat e edukimit në universitetin Luigj Gurakuqi në Shkodër. Pas tre vjetësh eksperiencë pune në Fier, dhe më vonë në Tiranë, largohet në Greqi dhe më pas në Itali ku aktualisht është e angazhuar në mësimin e gjuhës shqipe në qytetin e Fanos në Marche.



