Mbi 27 mijë tekste janë shpërndarë këtë vit për nxënësit e shkollave dhe klasave të gjuhës shqipe anembanë botës. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në Qndrën e Botimeve për DIasporën ku ndoqi nga afër procesin e përgatitjes për dërgimin e teksteve në Diasporë. Ajo cila theksoi se shpërndarja e teksteve është rritur me 70% më shumë se një vit më parë, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në mbështetjen e arsimit shqip në diasporë.
“Këtë vit kemi gati nivelin II të tekstit ‘Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare’, tashmë i standardizuar, ndërsa niveli III për klasat 7-8-9 ka përfunduar dhe do të jetë në duart e nxënësve duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor,” u shpreh Manastirliu.
Ministrja njoftoi gjithashtu se po përgatiten paketat e reja të librave që do të dërgohen në ato shtete ku po nxitet mësimi i gjuhës shqipe, duke përfshirë zona me komunitete të konsoliduara shqiptare.
Aktualisht janë rreth 400 shkolla dhe klasa në vende të ndryshme të botës ku mësohet gjuha dhe kultura shqiptare, një rrjet që jo vetëm mban gjallë gjuhën amtare, por edhe lidhjen shpirtërore me atdheun.
“Kemi bërë të mundur të rrisim numrin e mësuesve, të cilët janë të trajnuar dhe kualifikuar përmes seminareve të përbashkëta me Ministrinë e Arsimit të Kosovës,” tha Manastirliu, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë proces.
Për më tepër, të gjitha botimet janë të aksesueshme edhe në mënyrë digjitale në faqen e Qendrës së Botimeve për Diasporën, duke u ardhur në ndihmë mësuesve, nxënësve dhe prindërve.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka theksuar se po vijon të investojë në fuqizimin, ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe në diasporë, si pjesë e një strategjie kombëtare për forcimin e identitetit kombëtar tek brezat e rinj shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.



