Vizitorët ndërkombëtarë që aplikojnë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara me viza joimigruese do të përballen me një tarifë të re prej të paktën 250 dollarësh, sipas një dispozite të përfshirë në një projektligj të miratuar së fundmi nga administrata amerikane. Tarifa e re, e quajtur “Tarifa e Integritetit të Vizës”, do të shtohet mbi tarifat ekzistuese të aplikimit për vizë.
Dispozita e re prek udhëtarët për turizëm, biznes, studime dhe qëllime të tjera të përkohshme, përjashtuar shtetasit e vendeve që bëjnë pjesë në Programin e Heqjes së Vizave, si Australia dhe shumë shtete evropiane, të cilët mund të udhëtojnë në SHBA deri në 90 ditë pa vizë.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), tarifa është vendosur për të forcuar kontrollin e emigracionit, për të parandaluar tejkalimet e qëndrimit përtej afatit të vizës dhe për të financuar sigurinë kufitare.
“Tarifa e integritetit të vizës kërkon koordinim mes agjencive para zbatimit,” tha një zëdhënës i DHS për CNN.
Rimbursimi i mundshëm pas udhëtimit
Sipas dispozitës, udhëtarët që përmbushin të gjitha kushtet e vizës së tyre, mund të aplikojnë për rimbursimin e tarifës pas përfundimit të udhëtimit, ndonëse nuk janë dhënë ende detaje për mënyrën se si do të funksionojë ky proces. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se këto hollësi do të publikohen në faqen zyrtare për informacionin mbi vizat.
Ndërkohë, tarifat që nuk rimbursohen do të depozitohen në fondin e përgjithshëm të Thesarit amerikan dhe do t’i nënshtrohen rregullimeve vjetore sipas inflacionit.
Gjatë vitit fiskal 2024, SHBA-të kanë lëshuar afro 11 milionë viza joimigruese, sipas të dhënave zyrtare të Departamentit të Shtetit.
Vendimi pritet të prekë mijëra shqiptarë që udhëtojnë drejt SHBA-së çdo vit për arsye studimi, biznesi apo vizita familjare, duke e rritur ndjeshëm koston e udhëtimit.



